Një Task Forcë e përbashkët me prezencën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Policisë së Shtetit, Tatimeve dhe Agjencisë Kombëtare të Barnave nisën sot inspektimet në terren për të parandaluar abuzimin me çmimet nga subjektet që duhet të qëndrojnë hapur, kryesisht farmaci apo dyqane që tregtojnë artikuj ushqimor, kryesisht “bukë” dhe “fruta-perime”.
Me hyrjen në fuqi të Aktit Normativ që qeveria ka ndërmarrë për të përforcuar zbatimin e rregullave, vendimeve dhe urdhrave për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, rritja e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt, do të dënohet me gjobë në masën 5,000,000 (pesë milionë) lekë për tregtuesit me shumicë dhe 100,000 (njëqind mijë) lekë për tregtuesit me pakicë.
Në rast përsëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë për një periudhë 6-mujore. Zero tolerancë për këdo që abuzon në këtë situatë kritike dhe tenton të përfitojë në mënyrë të paligjshme. Task Forca e përbashkët do të vijojë kontrollet në gjithë vendin. Në fokus të saj janë edhe kushtet higjeno-sanitare dhe gjithë elementët e tjerë që lidhen me sigurinë ushqimore.
Ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me autoritetet duke denoncuar çdo rast abuziv që hasin tek subjektet të cilat duhet të qëndrojnë hapur për të përmbushur nevojat për produkte dhe shërbime. Është shumë e rëndësishme që ne të vijojmë të zbatojmë këshillat e mjekëve, të kufizojmë lëvizjet dhe kontaktet. Qëndroni në shtëpi derisa së bashku ta mundim flamën me armikun e padukshëm COVID-19. Është e vështirë, por e mundshme, si dhe e vetmja rrugë që të dalim të fituar nga kjo pandemi.
❗️ FRIKË ASPAK, KUJDES PO