AKU NDËRPRET AKTIVITETIN E 4 SUBJEKTEVE: PA LICENCË, PA KUSHTE HIGJENO-SANITARE DHE TREGTONIN PRODUKTE TË SKADUARA. KUNDRAVAJTËSIT NDËSHKOHEN ME 6.2 MILION LEKË

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet në të gjithë vendin, në funksion të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë ushqimore. Nga kontrollet ka rezultuar se 4 subjekte në Tiranë dhe Elbasan nuk përmbushin kërkesat ligjore të Sigurisë Ushqimore. Më konkretisht:

  • Në subjektin me aktivitet “FastFood&Kreperi”, Tiranë, u konstatua se aktiviteti ushtrohej pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A. – Prodhim, përpunim dhe shpërndarje të ushqimit për njerëz), nuk dispononte/zbatonte planin HACCP, si dhe kishte mangësi në sistemin e gjurmueshmërisë (lëndë të para pa faturë). Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit, trupa inspektuese mori masat administrative:
    1. “Gjobë” me vlerën 2,000,000 lekë (ushtrim aktiviteti pa licencën përkatëse),
    2. “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (moszbatim i sistemit të vetëkontrollit),
    3. “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë), si dhe
    4. “Ndërprerje e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.
  • Në subjektin me aktivitet “Tregtim i fruta-perimeve”, Tiranë, u ushtrua kontroll në vijim të indicios së ardhur nga Bashkia Tiranë, nga ku u konstatua se aktiviteti ushtrohej në kushte higjeno-sanitare të papërshtatshme (ambjent i hapur, dysheme e pashtruar, mungon tualeti dhe uji i rrjetit, ekspozimi në diell i produkteve, arka me produkte në kontakt me tokën, personeli pa librezë shëndetësore) dhe nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë (faturat tatimore) për produktet (shalqi, pjepër, patëllxhan, lulelakër, spinaq, brokoli, qepë e njomë, etj). Për shkeljet ligjore të konstatuara, ndaj subjektit, trupa inspektuese mori masat administrative:
    1. “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (mangësi në kushtet higjeno-sanitare),
    2. “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë),
    3. “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit), si dhe
    4. “Ndërprerje e aktivitetit” në mënyrë të mënjehershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore.
  • Në subjektin me aktivitet Restorant”, Tiranë, u konstatua se aktiviteti ushtrohej pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A.1 – prodhim, përpunim dhe shpërndarje të ushqimit për njerëz), në kushtet higjeno-sanitare të papërshtatshme (ambienti i palyer, tavan dhe dyshemeja e dëmtuar, papastërti, parregullsi dhe mbingarkesë në ambientin dhe pajisjet e punës, ambient i përbashkët pune për përgatitje e produktet “pasta” dhe “mish”), si dhe kushte të papërshtatshme të ruajtjes frigoriferike (ringrirja e produkteve të shkrira, ruajtje e përbashkët e produkteve “pasta” dhe “peshk” etj). Për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit, trupa inspektuese mori masat administrative:
    1. “Gjobë” me vlerën 2,000,000 lekë (ushtrim aktiviteti pa licencë),
    2. “Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (mangësi në kushtet higjeno-sanitare), si dhe
    3. “Ndërprerje e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.
  • Në subjektin me aktivitet “Dyqan ushqimor”, Kllogjri/Prrenjas, u konstatua se subjekti tregtonte produkte ushqimore me afat përdorimi të kaluar (Coca Cola me datë skadence 22.05.2019, Fanta Exotik me datë skadence 19.06.2019, Fanta Portokall me datë skadence 19.06.2019, biskota “Petit Beurre Extra” me datë skadence 01.11.2018.), si dhe kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (prania e papastërtive, dyshemeja, tavanet dhe raftet me prani ndryshku dhe sipërfaqe jolehtësisht të pastrueshme, pa tualet, pa lavaman, temperaturat e ambienteve nuk monitoroheshin, pa plan DDD, personel pa librezë shëndetësore). Për shkeljet ligjore të konstatuara, ndaj subjektit, trupa inspektuese mori masat administrative:
    1. “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (tregtim të produkteve me afat përdorimi të kaluar),
    2. “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë (mangësi të kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të higjenës).
    3. “Bllokim i produkteve” të pasigurta me destinacion asgjësimin, si dhe
    4. “Ndërprerja e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore.

AKU vijon kontrollet në Operatorët e Biznesit Ushqimor për zbatimin e kërkesave ligjore të Sigurisë Ushqimore.​

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052

 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme