Në kuadër të planit vjetor të inspektimeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet për zbatimin e ligjshmërisë në Operatorë të Biznesit Ushqimor që tregtojnë produkte të qumështit dhe njësi tregtimi (markete).
Kontrollet e ushtruara nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Korçë evidentuan se:
1) Nga kontrolli i ushtruar në një subjekt me aktivitet “Përpunim qumështi” (Menkulas, Devoll) u konstatua se:
Subjekti ishte objekt i pagimit të TVSH, por zhvillonte aktivitetin e tij pa u pajisur me licencën përkatëse; subjekti nuk dispononte certifikatat veterinare të qumështit si lëndë e parë; mungonte ambjenti për pranimin e lëndës së parë dhe depozitimit të mjeteve të pastrimit; mungonin kartat teknologjike; si dhe nuk ishte rinovuar analiza e ujit.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
a. Gjobë në vlerën 1,000,000 lekë për zhvillimin e biznesit në një stabiliment të parregjistruar,
b. Gjobë në vlerën 100,000 lekë, për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
c. Gjobë në vlerën 200,000 lekë, për veprime të operatorit të biznesit në kundërshtim me ligjin,
d. Bllokim i sasisë prej 100 kg djath kaçkavall dhe 200 kg djath i bardhë,
e. Bllokimi i aktivitetit për shkak te ushtrimit të tij në kundërshtim me ligjin.
2) Nga kontrolli i ushtruar në një subjekt me aktivitet “Supermarket” (Bilisht), në ambjentin e magazinimit të ushqimeve u konstatuan se:
Kushte higjenike ishin të papërshtatshme (muret dhe tavanet ishin me material që nuk pastrohej lehtësisht, po kështu edhe dyshemeja); u konstatuan mbetje të brejtësve dhe shpendëve; si dhe u gjetën 150 kg Niseshte, 150kg Oriz dhe 500kg miell gruri pa fletë analizë dhe të dëmtuar nga brejtësit, të cilat u bllokuan me destinacion asgjësimin.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
a. Gjobë ne vleren 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
b. Gjobë ne vleren 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
c. Bllokimi i aktivitetit për shkak se ushtrohej në kundërshtim me ligjin.
3) Nga kontrolli i ushtruar në një subjekt me aktivitet “Njësi tregtimi” (Pogradec), u gjenden produkte pa dokumentacion përkatës për gjurmueshmërinë si: Raport prove dhe Fatura tatimore.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
a. Gjobë ne vlerën 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
b. Bllokim i sasisë prej 24 kg kripë, 45 litra ujë, 13 litra lëngje frutash dhe 18 litra pije energjike.
AKU vijon punën pandërprerë, pavarësisht temperaturave, për sigurinë ushqimore, sfidën tonë të përbashkët!
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.
Për Sigurinë e Ushqimit që Konsumon dhe Ruajtjen e Shëndetin tënd, Bashkëpuno me AKU
info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052