Skema e mashtrimit ushqimor zbuluar nga 5 inspektime të AKU-së. Si shitet margarina me yndyrë bimore për gjalp.
Ky produkt ushqimor importohej nga Ukraina, me mangësi në dokumentacionin shoqërues (certifkatë sigurie ligjërisht të pavlefshme); deklarohet në doganë si “yndyrë bimore”; zhdoganohet si ”margarinë” ; dhe shpërndahet në operatorë të ndryshëm të zinxhirit ushqimor, madje në sasi të konsiderueshme edhe tek individët, në mungesë të të dhënave identifikuese përveç emrit.
Importuesi e faturon “margarinën” si “gjalp” dhe e shoqëron në mënyrë abuzive me një fletëanalize autokontrolli që nuk ka asnjë element identifikuese, të tilla si: numër lott-i apo datë skadence në produktin e furnizuar.
Maketet nuk e kontrollojnë vlefshmërinë e dokumetacionit shoqërues së produktit dhe e shesin produktin duke e keq-etiketuar si “gjalp”. Madje në disa raste e nxjerrin produktin në shitje me kundra-etiketë duke tjetërsuar origjinën (Ukraina bëhet Gjermani) dhe përbërjen (“yndyrë bimore” bëhet “gjalp nga kremi i qumështit”).
Ambalazhuesi, i cili furnizohet me produktin “magarinë” pa asnjë fletëanalize të vlefshme me elementët identifikues (numër loti apo datë skadence): amablazhon produktin me paketim 100 gr me etiketë të notifikuar si “gjalp”, duke i vendosur data të ndryshme skadence nga afati i jetëgjatësisë së lëndës së parë; nuk bën asnjë analizë të vlefshme për përbërjen kimiko-fizike të produktit final; përdor në mënyrë abuzive një fletëanalizë autokontrolli me tregues sigurie të ndryshëm nga etiketa e produktit; dhe në përfundim e nxjerr në treg produktin si “gjalp”.
Marketet e furnizuara me këtë produkt me siguri ushqimore të cënuar (nuk ka analiza të vlefshme, as në fillim të procesit të amablazhimit dhe as të produktit final), duke mos kontrolluar vlefshmërinë e dokumetacionit shoqërues të produktit që tregtojnë, kthehen indirekt në pjesëtarë aktivë të skemës së mashtrimit në zinxhirin ushqimor.
Falsifikimi i etiketave (tjetërsimit të origjinës dhe përbërësve) dhe i certifikatave të sigurisë, si dhe ndryshimi i datës së skadencës (elemente që cënojnë sigurinë e produktit) u mundësojnë operatorëve të biznesit shitjen e “margarinës” si “gjalp”.
Kjo është skemë e pastër e Mashtrimit Ushqimor.
Me 5 inspektime AKU zbuloi këtë skemë mashtrimi dhe mori këto masa:
- 8 “Gjoba” me vlerë totale 2.9 milion lekë,
Por përsëri, për shkak të parashikimeve të vakta të Kodit Penal aktual, këto masa nuk garantojnë që një skemë e ngjashme mashtrimi ushqimor të mos përsëritet më.
- “Bllokim” dhe “Tërheqje nga tregu” të sasisë prej 46.9 ton ”yndyrë bimore” (margarinë).
Kjo masë u ka dhënë mundësinë rreth 200 mijë blerësve (afro 800 mijë konsumatorë) të mos mashtrohen më me blerjet e radhës.
Me ndryshimet në Kodin Penal kushdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore do të marrë ndëshkime të ashpra. S’ka vend për abuzuesit, as nga radhët e inspektorëve tanë dhe as nga operatorët e biznesit ushqimor. Ju ftojmë të jemi bashkë në këtë angazhim madhor.
Video ilustruese: