BERAT, TREGTONIN NË KUSHTE TË RËNDA HIGJENO-SANITARE, AKU GJOBIT 3 SUBJEKTE

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të masave për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të mishit në funksion të sigurisë ushqimore dhe në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik ka konstatuar tre subjekte në qarkun e Beratit që tregtonin mish në mungesë të dokumentacionit shoqërues veterinar.
Fotot e realizuara në ambjentet e subjekteve tregojnë fare qartë kushtet e rënda higjeno-sanitare ku ata tregtonin produktin mishit të kecit.
Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU, Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme gjatë inspektimit konstatuan kushtet e rënda higjieno-sanitare në të cilën ushtrohej aktiviteti nga këto subjekte si dhe në mungesë të dokumentacionit përkatës, vula dhe certifikata veterinare e produktit.
Konkretisht, një subjekt në Kuçovë të shtetasit Eduart Goga dhe dy subjekte në Berat, të shtetasve Donik Pirja dhe Marjus Tabaku me veprimtari tregtim mishi të cilët tregtonin mish keci në mungesë të vulës dhe certifikatës veterinare. Për shkeljet e mësipërme u morën masat administrative bllokim të produktit 22.3 mish keci si dhe masa administrative me gjobë në vlerën 100.000 lekë për secilin nga subjektet.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën thirrje konsumatorëve që të jenë të kujdesshëm në blerjen e produkteve shtazore duke kërkuar informacione në njësitë e tregtimit të mishit që të jetë i vulosur, i shoqëruar me certifikatë veterinare, kuponin tatimor, si mjet për sigurinë e gjurmueshmërisë së produktit. Gjithashtu inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme