Gjatë ditës së djeshme, nëpërmjet platformës shqiperiaqeduam.al ka mbërritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit një denoncim nga një qytetar në lidhje me tregtimin e produktit mish, në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare në qytetin e Laçit, në Sanxhak.
Drejtoria Rajonale e AKU-së në Lezhë si dhe DRAKU Tiranë kanë kryer menjëherë inspektimin për subjektin që ushtronte aktivitet “Njësi Therje” në mënyrë të paligjshme.
Për këtë subjekt është marrë menjëherë masa e bllokimit të aktivitetit në zbatim të legjislacionit në fuqi, për mospërmbushjen e asnjë standardi të sigurisë ushqimore.
Subjekti nuk ishte i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Bizneseve (QKB). Siç duket edhe në video dhe foto, kioska në të cilën tregtohej produkti mish, kishte kushte higjieno-sanitare tërësisht të papërshtatshme në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Ndaj subjektit u vendos masa administrative gjobë me vlerën 100.000 lekë si dhe u konfiskuan mishi dhe mjetet e punës të gjetura në këtë aktivitet (pajisjet, çengela, thika, hanxhar, frigorifer, peshore, etj.).
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit veproi në bashkëpunim me Pushtetin Vendor, i cili luan një rol të rëndësishëm në këtë aksion.
07/02/2018
2018/02/07