Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka bllokuar një magazinë në njësinë administrative Sukth, në të cilën përpunoheshin dhe tregtoheshin produkte ushqimore në mënyrë të paligjshme.
Gjatë inspektimit ka rezultuar se subjekti nuk dispononte licencë për prodhim dhe përpunim produktesh ushqimore, që iu gjendën në magazinë. Sasia e produkteve ushqimore të gjendura në magazinë ishin 2624 litra vaj ulliri dhe vaj misri, si dhe 52 ton produkte ushqimore, si salcë domatesh, turshi gogozhare, recel qershie, komposto kumbulle, etj.
Ndërkohë, ndër shkeljet e tjera ligjore që iu gjendën këtij subjekti, kanë qenë edhe mungesa e analizave të produkteve ushqimore lëndë e parë, me etiketa të pamiratuara të produkteve ushqimore nga AKU dhe mungesë të kushteve higjieno-sanitare.
Referuar këtyre mangësive AKU ka bërë bllokimin e këtij aktiviteti dhe ka gjobitur subjektin me vlerën e 800 mijë lekëve.
Në lidhje me rastin, AKU ka njoftuar Sektorin e Antikrimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë e Tatimeve, përsa i përket natyrës së shkeljeve ligjore që ka bërë subjekti.
Autoriteti Kombetar i Ushqimit po vijon punën për tërheqjen nga tregu të të gjitha këtyre produkteve nese do të evidentohen dhe procedurat në vijim për trajtimin e këtij rasti.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë për cdo shqetësim që kanë në lidhje me sigurinë ushqimore, të cilat me përgjegjësi të plotë do të ndiqen hap pas hapi, për të garantuar sigurinë ushqimore.
26 Tetor, 2017