Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z.Dritan Sejko, ka zhvilluar një takim me dymbëdhjetë drejtorët rajonalë të AKU-së . Në këtë takim është diskutuar Plani i Punës për inspektimet dhe monitorimin e tregjeve ushqimore, me afrimin edhe te sezonit të ardhshëm veror. Pas një prezantimi të punës së drejtorëve të 12 qarqeve të AKU-së, mbi inspektimet dhe problematikat e hasura në raport me masat administrative me paralajmërime apo gjoba, ndaj operatorëve të biznesit, të cilët nuk plotësojnë kushtet e sigurisë ushqimore. Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së , Z.Sejko nënvizoi rëndësinë kryesore që duhet të marrë disiplinimi i therjeve të kafshëve nëpër thertore të licencuara dhe tregtimi i mishit me vulë dhe certifikatën veterinare shoqëruese. Vetëm në këtë mënyrë, theksoi Z.Sejko “Do të arrijmë të kemi nën kontroll therjen e kafshëve dhe tregtimin e mishit dhe nënprodukteve të tij dhe si rrjedhim edhe sigurinë ushqimore të konsumatorëve”.
Vënia në funksion e Portalit “Inspektori Dixhital “ ishte një tjetër pikë e diskutimeve të këtij takimi, ku ndër të tjera, nga Drejtori iPërgjithshëm i AKU-së, u kërkua vëmendje maksimale, ndaj denoncimeve të konsumatorëve,për çdo rast, kur konstatohen shkelje me kushtet e sigurisë ushqimore. “ Pas çdo denoncimi nga qytetarët,për shkelje të sigurisë ushqimore të produkteve ushqimore, do të qëndrojnë grupe inspektimi të AKU-së, ku në rast konstatimi të shkeljeve do të merren masa në bazë të ligjit “, tha z.Sejko.
18/03/2017