Bordi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është mbledhur gjatë ditës së sotme, me praninë e Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z.Edmond Panariti dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Z.Dritan Sejko, për të diskutuar një nga prioritetet e rëndësishme për Integrimin në Bashkimin Europian të Shqipërisë, në fushën e sigurisë ushqimore, krijimin e një kodeksi kombëtar shqiptar.
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Z.Dritan Sejko u shpreh se “krijimi i një kodeksi ushqimor kombëtar është një nga kushtet në fushën e sigurisë ushqimore për integrimin në Bashkimin Europian, dhe si i tillë mbetet një nga prioritetet kryesore të aktorëve dhe faktorëve të të gjithë fushës së sigurisë ushqimore”.
“Por që ky manual kombëtar standardesh të produkteve ushqimore të realizohet duhet patjetër gjetur një mënyrë e financimit të Paneleve Shkencore, si e vetmja rrugë për të finalizuar me sukses realizimin e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm” tha Z.Sejko.
Ministri i Bujqësisë Z.Edmond Panariti tha ndër të tjera se¸ “Ka ardhur koha për krijimin e një dokumenti integral, përsa i përket cilësisë dhe sigurisë ushqimore të produkteve shqiptare që do të jetë pika e referencës për të gjithë aktorët e fushës së ushqimit, prodhuesit, përpunuesit, ambalazhuesit dhe tregtuesit”. Ministri Panariti theksoi se “disa standarde janë të rifreskuara, siç janë ato të miellit, që do të jenë pjesë e këtij dokumenti integral”, por tha Z. Panariti, “duke qenë se jemi ende në fazë tranzitore dhe ende nuk jemi të gatshëm për të adoptuar të gjitha standardet e BE-së, në fushën e sigurisë ushqimore, mund t’i referohemi standardeve të FAO, e cila do të shërbente si referencë tranzitore”. Ministri Panariti u shpreh i gatshëm duke dhënë edhe mbështetjen e tij personale për të mbështetur kërkesën e financimit me donatorë të Paneleve Shkencore, për të arritur qëllimin kryesor krijimin e një dokumenti zyrtar të kodeksit ushqimor shqiptar. Kryetarja e Bordit të AKU-së, Znj. Renata Kongoli, pasi rikonfirmoi rëndësinë e krijimit të një Kodeksi Ushqimor, shprehu idenë se fillimisht duhet të standardizohen të gjitha prodhimet me origjinë bimore dhe shtazore. Sipas saj, rëndësi madhore në krijimin e këtij kodeksi ushqimor është se, normalisht biznesi prodhon dhe produktet qe realizohen duhet të krahasohen me disa kërkesa rregullatore të miratuara me ligj. Znj. Kongoli tha se “krijimi i këtij kodeksi ushqimor për Shqipërinë do ti vlejë biznesit, organeve kompetente, por më e rëndësishmja do të kemi edhe besueshmërinë e konsumatorit shqiptar”.
06/03/2017