Zhvillohet Konferenca e II-të Shkencore e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zhvilluar konferencën shkencore me temë “Konferenca II Siguria Ushqimore Sfidë për Shqipërinë Europiane”. Qëllimi i kësaj konference ka qenë rritja e nivelit kërkimor te vlerësimit të riskut mbi bazën e kërkimeve shkencore. Në këtë konferencë mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit z. Dritan Sejko, si dhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Drejtorisë së Doganave dhe Institutit të Shëndetit Publik.

Në këtë konferencë drejtori i AKU-së u shpreh se siguria ushqimore është një sfidë e madhe, jo vetëm për një vend të vogël si Shqipëria, por edhe për vendet e zhvilluara.

“Përmbushja e misionit për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit është një sfidë kombëtare, është fokusimi në drejtim të vendeve të zhvilluara për të ecur përpara me besim dhe qëndrueshmëri sipas standardeve ekonomike dhe shkencore që kanë sot vendet e zhvilluara europiane. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në përqasjen e tij për vizionin që ka për konsolidimin e një autoriteti jetëgjatë për të arritur qëllimin final të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit, sigurinë dhe cilësinë ushqimore, punon në mënyrë konsistente dhe koherente për të dhënë kontribut konkret, në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me direktivat dhe rregulloret e BE”, u shpreh z. Sejko.

Gjithashtu, Drejtori i AKU-së, bëri me dije se është gati një portal online për denoncimet e qytetarëve. “Shumë shpejt do të bëjmë funksional portalin online “Inspektori Dixhital” i cili do të bëjë të mundur përcjelljen në kohë reale, me zë dhe figurë, çdo shqetësim dhe perceptim që kanë konsumatorët në lidhje me sigurinë ushqimore dhe AKU do të jetë prezente në kohë reale për çdo rast të shqetësimit të qytetarëve për verifikimin dhe marrjen e masave të duhura për çdo shqetësim të denoncuar në këtë portal”, – tha Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Ndërkohë Drejtori i Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut në AKU z. Besnik Jakaj u shpreh se siguria ushqimore ka ecur me ritme të shpejta, por ka ende shumë punë për të bërë. Z. Jakaj theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve që të blejnë vetëm ushqime të kontrolluara. Besnik Jakaj bëri një prezantim të hollësishëm të sfidave të reja të AKU-së në të ardhmen.

17/12/2016

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme