Pas një viti është mbledhur sërish Bordi Drejtues i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Në këtë mbledhje u diskutua mbi detajimin e projekt-buxhetit të AKU-së për vitin 2017, mbi infrastrukturën e AKU-së, si dhe mbi problematikat me Departamentin e Administratës Publike.
Në këtë mbledhje Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, z.Dritan Sejko, kërkoi një buxhet më të madh, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për inspektime edhe në zona të largëta. Për këtë Z.Sejko kërkoi që të shtohen infrastruktura për inspektorët.
“Inspektorët nuk kanë mjete me cfarë të lëvizin. Duhet të keni parasysh qarqet nga Vlora deri në Konispol, dhe në momentin që shkon inspekton që ka ushqime me probleme, atëherë ligji thotë që duhet ta bllokojë, ta sekuestrojë. Pa makina për mua merr rrogën kot edhe inspektori. Siguria ushqimore është rritur, por ende ka vend për të përmirësuar”, – u shpreh z.Dritan Sejko.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, ngriti shqetësimin se nga 12 laboratorë, janë mbyllur 5 dhe për këtë tha, se nuk ka gjetur ndonjë arsye përse është marrë ky vendim.
“Unë kam kërkuar si Drejtori i Përgjithshëm, në protokoll kush është arsyeja që nga 12 janë lënë 7 laboratorë . Nuk kam marë përgjigje. Arsyen e këtij ristrukturimi nuk e kam gjetur . Ky material nuk ka dalë nga AKU dhe nuk është paraqitur kurrë në AKU. Në momentin që unë nuk gjej një analizë ,që pse janë hequr, kërkoj rikthimin e tyre . Unë po mundohem të drejtoj institucionin dhe e kam kapur nga themeli. Si është krijuar ky institucion ka qenë iniciativë e BE-së. Pra kur është krijuar nën mbikqyrjen e BE-së, kanë qenë edhe këto laboratore, për t’u hequr nuk ka pasur një argumentim. Po kështu edhe me zhvendosjen nga godina, që është një investim i BE-së”,- theksoi z.Sejko gjatë mbledhjes së Bordit Drejtues të AKU-së.
Edhe anëtarët e Bordit Drejtues u shprehen, se duhen një buxhet më i madh për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, në mënyrë që të kryhen sa më shumë kontrolle.
24/10/2016