Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të hetojë me të gjitha kapacitetet e saj, mënyrën se si ende gjendet mish në njësitë e tregëtimit në një pjesë të qyteteve të vendit, për vendin ku është therur, therore, pika shitjeje apo mënyra tjera të jashtligjshme, mënyrës së transportit etj. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e AKU do të verifikojë edhe punën e Drejtorive Rajonale të AKU, si dhe të inspektorëve të saj në qarqe.
Drejtori i Përgjithshëm Z.Isuf Shehu, gjatë një mbledhje me drejtorët e 12 Drejtorive Rajonale të AKU në Qarqe deklaroi, se në zbatim të Urdhërave të Ministrit të Bujqësisë, Z.Edmond Panariti, me Nr. 371 dhe 372, datë 08.07.2016, institucioni ka qenë pjesë mbështetëse e rëndësishme e Drejtorive të Bujqësive dhe Shërbimit Veterinar dhe ka bërë maksimumin e tij. “Në zbatim të urdhërave të mësipërm, AKU nuk ka lejuar importin e asnjë kafshe, që nga data e daljes së urdhërave, nga Kosova, Serbia, Greqia e Bullgaria, shtete këto të prekura nga sëmundja Lumpy Skin Disease. Gjithashtu, nga këto shtete, nuk është lejuar të futet në territorin e Republikës së Shqipërisë, asnjë gram mish i freskët”, deklaroi Shehu.
Në lidhje me situatën në vend, të lëvizjes së kafshëve, lëvizjes së mishit, apo për faktin që në njësitë (dyqane) tregtohet ende mish i therur në vend, Drejtori i Përgjithshëm i AKU deklaroi se, vërejtjet e ministrit Panariti qëndrojnë dhe do të merren masa ndaj të gjithë atyre që nuk kanë zbatuar me përpikmëri urdhërat.
“Puna në terren e inspektorëve të AKU ka qenë e madhe dhe në zbatim të plotë e me rigorozitet të urdhërave të ministrit, edhe pse vetëm në një pikë të njërit prej tyre përfshihej AKU. Bazuar në informacionet që kemi, theksoi Z.Shehu, të ardhura në rrugë të ndryshme, përfshirë edhe mediat, AKU do të investigojë se si dhe ku theren kafshët, kush e transporton mishin dhe për çdo rast evidentimi në terren, apo informacioni që do të mbledhim, do të marrim masat e nevojshme. Ndërkaq, masat që nga data 8 korrik 2016, kanë qenë jo të pakta, që nga paralajmërimet e deri te gjobat ndaj subjekteve”.
Në përfundim të takimit, Z.Shehu deklaroi gjithashtu, se përveçse sa më sipër, Drejtoria e Përgjithshme e AKU do të hetojë edhe punën e 12 drejtorive rajonale në lidhje me këto problematika, të të gjithë inspektorëve e nësëe ka shkelje të urdhërit të Ministrit Panariti apo të ligjit, do të merren masat e nevojshme ndaj tyre.
Urdhërat e Ministrit të Bujqësisë, Z.Panariti, dolën me qëllim marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e perhapjes së kësaj sëmundjeje në vendin tonë, pasi ka prekur kafshët e llojit gjedh në vendet fqinje, si Kosovë, Serbi, Greqi e Bullgari.
Lumpy Skin Disease është një sëmundje virale e Gjedhit dhe karakterizohet në mënyrë tipike nga nyje në lëkurë duke përfshirë gjithë sipërfaqen e trupit: kokën gjymtyrët, hundën, bishtin, mukozën e gojës. Kjo sëmundje ndodh gjatë verës dhe vjeshtës në muajt, kur insektet janë me shumicë, ndërsa sëmundja nuk paraqet rrezik për njerëzit.
08/07/2016