Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë ushqimore, veçanarisht gjate sezonit turistik, nis vendosjen e certifikatave te inspektimit (stickera) ne ambientet e shërbimit, si restorante, bar-kafe, fast-food, pastiçeri etj. Kjo nismë filloi sot në Durrës dhe do të vazhdojë në gjithë vendin. Në këtë aktivitet morën pjese Mininistri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Z.Edmond Panariti dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Z.Isuf Shehu.
Ministri Panariti deklaroi pas inspektimit të një restoranti në Plazhin e Durrësit se, është ditë e rëndesishme për sigurinë ushqimore. “Me drejtorin e AKU, morëm pjesë në inspektimin e një prej qindra mijëra restoranteve të Shqipërisë. E nisëm nga Durresi, për të asistuam në inspektimin nga AKU, ku inspektorët e Drejtorisë Rajonale të Durrësit panë me përpikmëri gjithëçka në restorant, që lidhet me ofertën kulinare të restorantit dhe garantimin e sigurisë ushqimore”, deklaroi Panariti. Më tej, ai e vuri theksin te rëndësia dhe domosdoshmëria e sistemit të gjurmueshmërisë për çdo Operator të Biznesit Ushqimor. “Restoranti në fjalë e ka të garantuar sistemin e gjurmueshmërisë, duke ofruar kështu dhe sigurinë e konsumatorit. Pas verifikimit e kontrollit të imtësishëm, trupa inspektuese vendosi t’i japë këtij restoranti certifikanten e inspektimit. Kjo do të vazhdojë në të gjithë vendin. Ne s’do të bëjmë kompromis me sigurinë ushqimore. Ky mesazh është dhënë i qartë për gjithë rrjetin e kateringut e bar-restoranteve. Kemi hedhur një hap të rëndësishëm për gjithë rrjetin e ofertës së kateringut e restoranveve dhe çdokujt tjetër që ka lidhje me sigurinë ushqimore. Falenderoj AKU-në dhe Drejtorin Isuf Shehu, për këtë iniciativë dhe që vetë drejtori i AKU është në krye të kësaj pune”, deklaroi Ministri Panariti.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, Z.Isuf Shehu tha për mediat se, “kjo certifikatë që nisi sot të vendoset nëpër njësitë e shërbimit të kateringut apo restoranteve, prodhon një garanci më të madhe për konsumatorin, pasi çdo restorant apo subjekt që e mban, do të thotë që është i kontrolluar në mënyrë rigoroze. Po ashtu, kjo certifikate është edhe një përgjegjësi më e madhe për inspektoret, të cilët nuk mund të neglizhojne asgjë gjatë punës së tyre”.
Çdo subjekt që do të pëmbajë logon e sigurisë, pullën e inspektimit, e cila detyrimisht do të ngjitet në vende të dukshme, është i kontrolluar nga AKU dhe plotëson kushtet, sipas legjislacionit shqiptar, për garantimin e sigurisë ushqimore. AKU ka hartuar një plan të veçante masash për sigurine ushqimore gjate sezonit turistik dhe nuk do të tolerojë askënd, për asgjë që cënon sigurinë ushqimor.
06/07/2016