AKU bllokon 260 kg peshk, transportohej në bagazh autobusi dhe pa dokumente

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bllokon dhe asgjëson një sasi peshku, e cila transportohej në një autobus udhëtarësh. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së, Z.Isuf Shehu, Drejtoria e AKU-së në Korçë, në bashkëpunim dhe me strukturat e Policisë së Shtetit, Tatimeve dhe të Bashkisë së këtij qyteti, ngriten grupet e punës për bllokimin e një sasie peshku, për të cilën ishte marrë informacion se, dilte në treg e transportuar në një autobus udhëtarësh, pa asnjë kush të ruajtjes e transportit të produktit, si dhe pa dokumente shoqëruese.
Nga kontrolli i ushtruar në autobusin e udhëtarëve të linjës Goricë-Korçë, inspektorët e AKU-së gjetën në bagazhin e tij 260 kilogramë peshk, i cili më pas u asgjësua, pasi veç mungesës së kushteve të tranportit, ishte pa certifikatë veterinare dhe fatura tatimore. Më pas, strukturat e AKU, në bashkëpunim dhe me Bashkinë e Korçës kryen asgjësimin e peshkut, i cili ishte zënë në liqenin e Prespës (Pustecit) dhe do të tregtohej në Korçë.

05/07/2016

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme