Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inspektoi tregjet e hapura në Rrogozhinë e Kavajë, ku sekuestroi produkte me origjinë shtazore, të cilat tregëtoheshin pa asnjë kusht higjeno-sanitar. Dele që thereshin në vende të hapura, mes pluhurit e baltës, në temperatura të larta, peshk i hedhur në tokë, qofte, sallam, djath e produkte tjera pa etiketë, apo edhe vezë, pa vend-origjinë e pa asnjë dokument shoqërues dhe që shiteshin në kushte të papërshtatshme, ishte panorama e tregjeve në tregjet e hapura të Rrogozhinës dhe Kavajës.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU-së Tiranë, ditën e shtunë, datë 07.05.2016, kontrolluan tregun e hapur në vendin e quajtur “Ura e Rrogozhinës”, duke konstatuar tregëtimin jashtë çdo kushti higjeno-sanitar dhe rregulli të parashikuar nga ligji. Në tregun që menaxhohet nga Bashkia Rrogozhinë, inspektorët e AKU-së sekuestruan 105 kg peshk, 37 kg kofsha pule, 17 kokrra vezë, 6 kilogramë sallam dhe 27 kilogramë mish delje, e cila u gjet e sapotherur. Tregu i Rrogozhinës administrohet nga bashkia e këtij qyteti, ndaj të cilës AKU ka vendosur një gjobë me vlerë 300.000 lekë dhe më pas është paraljëruar sërish të marrë masa për përmirësimin e kushteve.
Situata thuajse e njëjtë ishte edhe në tregjet e hapura të Bashkisë Kavajë, ku nga inspektimi i datës 08.05.2016, rezultoi se në trotuaret e qytetit, shiteshin produkte ushqimore, veçanarisht ato me origjinë shtazore, jashtë çdo rregulli të lejuar. Peshku në tezga rrugëve, mishi në trotuare, të kartona e vende-vende i varur mbi kangjella objektesh. Inspektorët e AKU-së sekuestruan 99.5 kg peshk, 64 kg mish, 4 kg sallam, 35 kg djath dhe dy bidonë (3 liter) qumësht.
Për situatën e tregjeve të hapura, AKU do të marrë masa disiplinore ndaj Bashkise Kavaje, e cila është adminiatratore e tregjeve në këtë qytet, ndërkohë që inspektimet do të vazhdojnë edhe në tregjet tjera në të gjithë vendin.
Inspektorët e AKU Tiranë kontrolluan edhe Tregun UShqimor “Hamdi Pepa” në kryeqytet, konkretisht 16 subjekte. Për dy prej tyre u mor masa administrative, gjobë me vlerën 100.000 lekë, ndërsa u ndërpre aktiviteti i 14 të tjerave, për mungesë të kushteve higjeno-sanitare.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pak javë më parë, inspektoi masivisht tregjet e hapura në gjithë vendin dhe vendosi një sërë masash admistrative (gjobë) për disa bashki, si dhe disa subjekte që menazhojnë tregjet.
07/05/2016