Bllokohen 3 baxho në Korçë e Berat, s’plotësonin kushtet higjeno-sanitare

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka ndërmarë masa për parandalimin e përpunimit të qumështit dhe prodhimit të nënprodukteve të tij, nga punishte apo baxho, kryesisht sezonale, të cilat nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare, si dhe kanë mungesë dokumentacioni. Në këtë kuadër, Drejtoritë Rajonale të AKU-se në Korçë dhe Berat kanë bllokuar ditët e fundit tri baxho të tilla, të hapura në këtë periudhë, duke qenë se kjo është dhe koha e sezonit të tyre.
Konkretisht, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Korçë, bllokoi aktivitetin e një baxhoje në fshatin Lubonjë të këtij rrethi, pasi ushtronte aktivitetin pa u regjistruar në organet tatim-paguese, si dhe nuk plotësonte kushtet sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. AKU në Korçë pezulloi ushtrimin e aktivitetit edhe në baxhon e fshatit Qafzezë, në Kolonjë, pasi nuk plotësonte kushtet e përpunimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij.
Ndërkaq, Drejtoria Rajonale e AKU-së në Berat, ndërpreu aktivitetin e një baxhoje, pasi nga inspektimi i kryer, rezultoi se, dyshemeja në ambjentin e përpunimit të lëndës së parë ishte me dëmtime, kishte prezencë lagështie e myku në mure dhe tavan në ambjentin e përpunimit dhe në ambjentin e kryerjes së ambalazhimit, rrjetat e dëmtuara, si dhe mungonte sistemi i ujit të ngrohtë në ambjentin e prodhimit.
AKU, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore, do të marrë masa ndaj çdo subjekti që nuk plotëson kushtet dhe cënon sigurinë ushqimore.

23/04/2016

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme