Eschericia Coli (E. coli) është përfaqësuesi tipik i gjinisë Eschericia, pjesë e familjes Enterobacteriecae. E. coli është një bakter Gram-negative, aerob dhe anaerob fakultative (që prodhon ATP nga frymëmarrja aerobe nëse oksigjeni është i pranishëm, por është i aftë të kalojë në fermentim ose frymëmarrje anaerobe nëse oksigjeni mungon). Gjithashtu është një bakter josporagjen, i lëvizsshëm dhe nuk ka veti proteolitike. Këto baktere janë në formë shkopi, dhe janë rreth 2.0 µm10 të gjata dhe 0.25-1.0 µm në diametër, me një vëllim qelizor prej 0.6-0.7 µm3. Temperatura optimale e rritjes së tyre është 37oC, në temperaturën 60oC ato vdesin për 15 minuta.

Ky grup i mikroorganizmave përfshin baktere që shkaktojnë infeksionet primare të traktit gastrointestinal të njeriut. Këto bakterie referohen si enterike (duke mos pasur parasysh që shkaktojnë çrregullime të zorrëve), por është dhe një ndër shkaktarët e infeksioneve oportune (duke përfshirë septiseminë, pneumoninë, meningjitin dhe infeksionet urinare). Në fakt, 75% deri 95% e infeksioneve të traktit urinar shkaktohen nga E. coli. Rruga kryesore e infeksionit urinar është ascedente e shkaktuar nga kontaminimi fekal.

Mjedisi natyral

E.coli përbën rreth 0.1% të mikroflorës së zorrëve dhe transmetimi fekal-oral është rruga kryesore përmes të cilës shtamet patogjene të bakterit shkaktojnë sëmundje. Është një bakter që “rritet” në organizmin e njeriut dhe të kafshëve, pra bashkëjetojnë me organizmat e gjalla dhe nuk është i dëmshëm pasi është pjesë e florës bakteriale normale të tyre. Ky bakter jo vetëm që nuk është i dëmshëm por kontribuon dhe në proçesin e tretjes së ushqimit. Shumica dërrmuese e shtameve të E. coli përpos faktit që janë të padëmshëm, por janë edhe të dobishëm. Për shembull, E. coli prodhon vitaminën K dhe B6, dhe mban një hapësirë mbrojtëse në zorrë për baktere të tjera të dobishme.

Kur ky “ekuilibër i bashkëjetesës” prishet, E. coli mund të bëhet shkak i sëmundjeve të ndryshme uropatogjene dhe mund të shkaktojë infeksione të traktit urinar. Forma e tij ekstreme shfaqet nga pakujdesia në higjenën personale dhe në higjenën e gatimit. Ata janë dhe në gjendje të mbijetojnë jashtë trupit për një kohë të kufizuar, gjë që i bën këto organizma tregues potencial për të provuar ndotjen e mjedisit, ekzaktësisht për ndotjen fekale.

Në rrugët urinare E. coli shkakton sëmundje të ndryshme klinike, por më i zakonshmi është cistit, pra infeksioni i fshikëzës urinare dhe më rrallë përfshin organe të tjera si veshka apo prostatë.

E.coli është lloji i zakonshëm i grupit të baktereve që njihet për shkaktimin e irritimit të stomakut dhe helmimin nga ushqimi (E. coli kryesisht njihet si një ndër shkaktarët kryesor të helmimeve nga ushqimi). Megjithatë, disa lloje të E. coli mund të shkaktojnë sëmundje dhe komplikacione të tjera të rënda. Kur E. coli gjen rrugën për të depërtuar në mushkëri, mund të shkaktojë dhe sëmundje të frymëmarrjes dhe në raste të rralla, pneumoni.

Sipas Fondacionit të Kërkimit të Meningjitit, E. coli është shkaku i rreth 20% të të gjitha rasteve të meningjit neonatal, një infeksion potencialisht vdekjeprurës të membranave që mbështesin trurin e një foshnjeje. Por E. coli është ndoshta më i njohur për rolin e tij në infeksionet e zorrëve dhe shpërthimet e helmimit në ushqim.

Duke parë se sa lehtësisht mund të marrim E. coli, duhet të themi se nevoja e ndërgjegjësimit duhet të jetë e madhe, gjë e cila shpesh mungon. Njerëzit janë të painformuar nga rreziqe të tilla të cilat në një farë mënyre ndikojnë në përhapjen e këtyre sëmundjeve për shkak të moskujdesit të duhur.

Format e marrjes së E. coli

Duke parë që është një bakter i cili bashkëjeton me organizmat e gjalla, pakujdesia mund ta bëjë shkaktar të disa pasojave. Sipas studimeve, mund të infektohesh me E. coli edhe kur gëlltitet një sasi e vogël e baktereve. Ndër mënyrat që mund të ndodh kjo, përmendim:

  • Nga mishi i pagatuar dhe i bluar mirë, sidomos ai i fast-foodeve (gjatë përdorimit të mishit të bluar të kontaminuar me coli dhe konsumit të këtij mishit të papërpunuar termikisht sipas rregullave);
  • Përmes konsumimit të qumështit të patrajtuar (konsumi i qumështit të papasterizuar, i cili nuk është përpunuar termikisht në mënyrë që të shkatërrohet pjesa më e madhe e baktereve që mund të jetë një burim kontaminimi). Duhet bërë kujdes që të konsumohet qumësht i ambalazhuar dhe mbi etiketë të jetë shkruar “pasterizuar”. Kjo tregon që këto produkte i janë nënshtruar trajtimit termik për shkatërrimin e këtij bakteri;
  • Konsumimi i frutave dhe perimeve që janë larë me ujë të kontaminuar me coli;
  • Konsumimi i disa perimeve të freskëta si: sallata marule, spinaqi, qepët, domate, kastravec etj. Disa ekspertë thonë se coli është e vështirë për ta eliminuar nëse janë kontaminuar produkte që konsumohen të freskëta dhe nuk i nështrohen proçeseve termike;
  • Konsumimi i perimeve të rritura me plehërim nga plehu i bagëtive, ose ujitja me ujë të ndotur;
  • Ushqime dhe pije të tjera (burim kontaminimi me coli mund të bëhen dhe lëngjet e frutave të papasterizuara apo kosi dhe djathi i përftuar nga qumështi i papërpunuar);
  • Nga konsumi i ujit të pijshëm të infektuar;
  • Nga njerëz të tjerë (një mënyrë tjetër kontaminimi me coli mund të jetë nga një person tjetër që është i prekur nga ky infeksion);
  • Nëse jetoni afër ambienteve me bagëti;
  • Nga ushqimet si spinaqi, sallata, kastravecat dhe ushqimet e tjera bimore që kultivohen me plehun e këtyre kafshëve;
  • Mosrespektimi i rregullave sanitare të përgatitjes,ruajtjes transportit dhe shitjes së produkteve ushqimore të sipërpërmendura;
  • Mosrespektimi i rregullave të higjenës personale nga punonjësit që kanë kontakt direkt me produktin;
  • Mosrespektimi i regjimit teknologjik të prodhimit të këtyrë produkteve ushqimore gjatë përpunimit termik, zjerjes, pjekjes, pasterizimit, sterilizimit etj;
  • Shkelja e afateve të caktuara dhe kushteve të ruajtjes së produkteve ushqimore. Kjo është veçanërisht e rrezikshme për mishin dhe peshkun kur ato ruhen në gjendje të ngrirë, sepse në këtë mjedis në sipërfaqe shumë të mëdha bakteret shumëzohen jashtëzakonisht shpejt.

Ky bakter mund të merret përgjithësisht nga ushqimet si mish, qumësht, ujë dhe perime. Një shfaqje shumë e keqe të E. coli u konstatua në Amerikë në spinaq në vitin 1993. Mishi i viçit mund të përmbajë E. coli, sepse mund të infektohet nga bagëtitë me përmbajtje të këtij bakteri. Bakteri mund të shfaqet në mish që origjinon nga infektimi i kafshëve nga jashtëqitjet e tyre, jashtëqitje e cila përdoret edhe si pleh organik.

Sigurisht jo në mënyrë të qëllishme, por kjo mund të ndodh në rastet e përdorimit të plehut organik për plehrim (një praktikë e zakonshme për të ndihmuar rritjen e fruta perimeve) ose në qoftë se uji i ndotur me E. coli përdoret për të ujitur këto bimë.

Faktorët e rrezikut

E.coli mund të prek këdo që është i ekspozuar ndaj baktereve. Faktorët e rrezikut përfshijnë:

Mosha – Fëmijët e vegjël dhe të rriturit e moshuar janë më të rrezikur nga komplikimet e shumta dhe serioze që shkakton E. coli.

Sisteme imune të dobësuara – Njerëzit që kanë sistemin imunitar të dobësuar nga sëmundje si AIDS ose nga ilaçet që përdorin për të trajtuar tumorin, ka më shumë të ngjarë të sëmuren nga ky bakter.

Koha e vitit – Megjithëse nuk është e qartë pse, shumica e infeksione të E. coli në SH.B.A ndodhin nga qershori deri në shtator.

Ngrënia e disa ushqimeve të caktuara – Ushqimet më të rrezikshme përfshijnë hamburger me mish të patrajtuar mirë termikisht, qumësht ose lëngje frutash të papasterizuara, produkte të përftuara nga qumësht i papërpunuar etj.

Ulja e nivelit të aciditetit në stomak – Acidi klorhidrik i stomakut shërben si barrierë mbrojtëse kundër E. coli. Në qoftë se merrni ilaçe që zvogëlojnë aciditetin në stomak si esomeprazole (Nexium), pantoprazole (Protonix), lansoprazole (Prevacid), dhe omeprazole (Prilosec), rritet rreziku për tu infektuar ndaj këtij bakteri.

Shenjat klinike

Zakonisht efekti i një infeksioni të zorrëve E. coli shfaqet deri në 5 ditë pasi bakteret janë futur në organizëm. Simptomat e një infeksioni të E. coli përfshijnë:

  • Diarre, e cila mund të jetë e rëndë dhe e përgjakshme;
  • Të përziera;
  • Koliti;
  • Dhimbje të forta barku;
  •  

Simptomat e një infeksioni të rëndë nga E. coli mund të përfshijnë:

  • Urina e përgjakur;
  • Reduktimi i prodhimit të urinës;
  • Lëkurë e zbehtë;
  • Mavijosje;

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 5 deri në 10% e atyre që janë të infektuar me E. coli zhvillojnë sindromën uremike hemolitike (HUS), një gjendje në të cilat qelizat e kuqe të gjakut dëmtohen. Kjo mund të çojë në dështim të veshkave, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. (HUS) zakonisht fillon rreth 5 deri në 10 ditë pas fillimit të diarresë.

Duke qenë se dhimbjet janë shumë të forta, shpesh ky bakter ngatërrohet dhe me apandesitin. Zakonisht diarreja e shkaktuar nga E. coli zgjat 4 deri në 5 ditë. Në rast se helmi qarkullon më gjatë, ai mund të shaktojë anemi dhe insufiçencë renale.

Simptomat zakonisht fillojnë 3 ose 4 ditë pas infektimit me E. coli. Nëse dikush ka simptomat e helmimit me E. coli, mjeku duhet të kryej analizat e gjakut dhe të marrë një mostër të feçes së personit të sëmurë. Edhe pse diarreja është një prej simptomave kryesore, personi nuk duhet të marrë menjëherë ilaçe anti-diarre sepse ato mund të ngadalësojnë dhe kohën e shërimit. Disa njerëz mund të stabilizohen në kushte shtëpiake, ndërsa të tjerë duhet të marin kurën e nevojshme në spital.

Masat parandaluese

Disa nga masat që mund të merren për parandalimin e tij janë:

  • Kontrolli veterinaro-sanitar sistematik i kafshëve që theren, i kushteve të therjes dhe i prerjes së mishit;
  • Respektimi i plotë i regjimit higjeno-sanitar në ndërrmarjen e industrisë ushqimore dhe të ushqimit social, në rrjetin e tregtisë dhe gjatë transportit të produkteve ushqimore;
  • Plotësimi i kërkesave higjenike lidhur me mirëmbajtjen e lokaleve, me pastërtinë e veglave të punës, të enëve dhe ambalazheve në ndërrmarjet e ushqimit social, të industrisë ushqimore, si dhe ato të tregtisë;
  • Respektimi i rregullave të higjenës personale prej njerëzve të ndërrmarjes ushqimore sociale dhe të tregtisë që merren me produktet ushqimore;
  • Kontrolli mikrobiologjik i lëndëve të para dhe i produkteve të gatshme;
  • Mekanizmi dhe automatizimi i proçeseve të prodhimit, të cilat jo vetëm ulin koston dhe lehtësojnë punën, por përmirësojnë cilësinë dhe gjendjen sanitare të produktit;
  • Zierja e mishit në mënyrën e duhur dhe mos të hahet i pagatuar;
  • Gatimi i të gjitha llojeve të mishit, por sidomos të viçit, për të paktën 160oF (71oC);
  • Përdorimi i qumështit ose produkteve të tij të pasterizuar;
  • Përdorimi i ujit të pijshëm të trajtuar me klor;
  • Qëndrimi larg bagëtive, sidomos në të tilla raste duhet patur kujdes për fëmijët.

Kurimi i infeksioneve të shkaktuara nga E. coli

Shtylla kryesore e trajtimit është vlerësimi i dehidratimit dhe zëvendësimi i lëngjeve dhe elektroliteve. Administrimi i antibiotikëve ka treguar që shkurton rrjedhën e sëmundjes dhe kohëzgjatjen e sekretimit të E. coli enterotoksigjenik (ETEC). Aktualisht, antibiotikët që përdoren janë fluorokinolonet ose azitromicina.

Ky bakter nuk ka ndonjë kurë specifike. Madje terapia e sipërpërmendur me antibiotikë përveçse nuk është dhe shumë efikase mund edhe ta përkeqësojë situatën. E vetmja gjë që mund të bëhet në këto raste është lehtësimi i simptomave. Në raste specifike mund të kërkohet infuzioni që kompenson humbjen e lëngjeve tek pacientët, dializa në rastet kur veshkat janë dëmtuar shumë.