OBEZITETI DHE MBIPESHA: SHKAQET, PASOJAT DHE REDUKTIMI

Çfarë e shkakton obezitetin dhe mbipeshën?
Shkaku themelor i obezitetit dhe mbipeshës është çekuilibri i energjisë, mes kalorive që merren dhe kalorive që harxhohen. Në botë vërehet:

– një rritje e konsumit të ushqimeve të dendura me energji, që përmbajnë shumë yndryna dhe sheqerna; dhe
– një rritje në mungesën e aktivitetit fizik, për shkak se shumë lloje punësh bëhen ulur në karrige, mënyra e transportit ka ndryshuar, dhe qytetërimi është rritur.
Ndryshimet në zakonet e të ushqyerit dhe aktivitetit fizik janë shpesh rezultat i ndryshimeve të mjedisit dhe shoqërisë, që lidhen me zhvillimin dhe mungesën e strategjive mbështetëse, në sektorët e shëndetësisë, bujqësisë, transportit, planifikimit urban, mjedisit, përpunimit të ushqimit, shpërndarjes, marketingut dhe edukimit.

CILAT JANË PASOJAT E ZAKONSHME SHËNDETËSORE TË MBIPESHËS DHE TË OBEZITETIT?
Vlera e rritur e IMT-së është një faktor madhor për sëmundjet e patransmetueshme, siç janë:
– sëmundjet e enëve të gjakut (veçanërisht sëmundjet dhe goditjet e zemrës), që ishin shkaktari kryesor i vdekjeve, në vitin 2012;
– diabeti;
– çrregullimet muskulare-skeletore (veçanërisht osteoartriti – një sëmundje e rëndë degjeneruese, që i bën kyçet të paafta);
– disa lloje kancerash (përfshi atë endometrial, të gjirit, të prostatës, të mëlçisë, tëmthit, veshkave dhe kolonës).
Risku i këtyre sëmundjeve të patransmetueshme rritet, nëse rritet vlera e IMT-së.

Obeziteti në fëmijëri lidhet me një shans më të lartë të obezitetit, vdekjes së parakohshme dhe çrregullimeve te të rriturit. Megjithatë, përveç rreziqeve që hasen në të ardhmen, fëmijët obezë vuajnë edhe nga vështirësi në frymëmarrje, kanë rrezik të shtuar të frakturave, të tensionit të lartë të gjakut, shfaqin shenjat e para të sëmundjeve të enëve të gjakut, rezistencë ndaj insulinës dhe efekte psikologjike.

TË PËRBALLESH ME NJË BARRË TË DYFISHTË TË KEQUSHQYERJES
Shumë prej shteteve me të ardhura të ulëta dhe të mesme po përballen me një “barrë të dyfishtë” të kequshqyerjes.
– Teksa këto shtete vazhdojnë të trajtojnë problemet e sëmundjeve infektive dhe kequshqyerjen, ata po përballen edhe me një tejrritje të faktorëve të riskut të sëmundjeve të patransmetueshme, siç janë obeziteti dhe mbipesha, veçanërisht në zonat e qytetit.
– Nuk është e pazakontë të hasësh edhe kequshqyerjen, edhe obezitetin, në të njëjtin shtet, komunitet apo shtëpi.
Fëmijët në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, janë më të prekur ndaj ushqyerjes së pamjaftueshme gjatë paralindjes, sapolindjes dhe fëmijërisë së hershme. Njëkohësisht, këta fëmijë ekspozohen ndaj ushqimeve që kanë nivele të larta të yndyrës, sheqerit, kripës, janë të dendura në energji dhe janë të varfra në mikroushqyes, të cilët kanë kosto më të ulët, por kanë edhe cilësi më të dobët. Të tilla zakona të të ushqyerit, sëbashku me nivelet e ulëta të aktivitetit fizik, shkaktojnë obezitet tek fëmijët, teksa çështjet e kequshyqerjes mbeten të pazgjidhura.

SI MUND TË REDUKTOHEN MBIPESHA DHE OBEZITETI?
Mbipesha dhe obeziteti, ashtu si edhe sëmundjet e patransmetueshme të lidhura me to, janë në përgjithësi të parandalueshme. Mjediset dhe komunitetet mbështetëse janë kyç në formimin e zgjedhjeve të njerëzve, duke i bërë ushqimet më të shëndetshme dhe aktivitetin e rregullt fizik, zgjedhjet më të lehta (që janë më afër, më të disponueshme dhe më të përballueshme), duke e parandaluar kështu obezitetin dhe mbipeshën.

Në nivel individual, njerëzit mundet të:
– kufizojnë konsumin e energjisë që vjen nga totali i yndyrnave dhe sheqernave;
– rrisin konsumin e frutave e perimeve, dhe bishtajoreve, grurit kokërrplotë dhe arroret; dhe
– përfshihen në aktivitete fizike të rregullta (60 minuta çdo ditë për fëmijët dhe 150 minuta të shpërndara gjatë gjithë javës, për të rriturit).
Përgjegjësia individuale mund të arrijë efektin e plotë të saj vetëm kur njerëzit përshtatin një stil jetese të shëndetshëm. Prandaj, në nivelin shoqëror është e rëndësishme të mbështeten individët, që ata të ndjekin këshillat e mësipërme, përmes zbatimit të qëndrueshëm të strategjive të mbështetura në prova dhe të mbështetura në popullsi, ku aktiviteti fizik i rregullt dhe zgjedhjet më të shëndetshme të të ushqyerit janë të pranishme, të përballueshme dhe të lehta për t’u aksesuar nga të gjithë, sidomos nga individët më të varfër. Një shembull i një strategjie të tillë është taksa e pijeve të ëmbëlsuara me sheqer.

Industria ushqimore mund të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e dietës së shëndetshme, duke:
– reduktuar përmbajtjen e yndyrës, sheqerit dhe kripës në ushqimet e përpunuara;
– siguruar që zgjedhjet e shëndetshme dhe të ushqyeshme janë të pranishme dhe të përballueshme, për të gjithë konsumatorët;
– kufizuar reklamimin e ushqimeve që kanë sasi të lartë sheqeri, kripe dhe yndyre, sidomos tek ushqimet për fëmijë dhe adoleshentë; dhe
– siguruar praninë e zgjedhjeve të ushqimeve të shëndetshme dhe duke mbështetur praktika të rregullta të aktivitetit fizik, në vendin e punës.

PËRGJIGJJA E OBSH-SË
E përshtatur nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2004, dhe e njohur sërish në vitin 2011, në një deklaratë politike për sëmundjet e patransmetueshme (SPT-të), “Strategjia Botërore e OBSH-së për Dietën, Aktivitetin Fizik dhe Shëndetin” përshkruan veprimet e nevojshme për të mbështetur dietat e shëndetshme dhe aktivitetin fizik të rregullt. Strategjia i thërret të gjithë grupet e interesit, që të ndërmarrin aksion në nivel botëror, rajonal dhe lokal, për të përmirësuar dietat dhe zakonet e aktivitetit fizik për të gjithë popullsinë.

Programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i vitit 2030, i njeh SPT-të si një sfidë madhore për zhvillimin e qëndrueshëm. Si pjesë e këtij Programi, Kryetarët e Shteteve dhe Qeverive u zotuan se do të jepnin zgjidhje ambicioze kombëtare, deri në vitin 2030, për të reduktuar me një të tretën, vdekshmërinë e parakohshme nga SPT-të, përmes parandalimit dhe trajtimit (shënjestra 3.4 e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm).

“Plan veprimi botëror për aktivitetin fizik 2018-2030: më tepër njerëz aktiv për një botë më të shëndetshme” parashtron veprime strategjike efektive dhe praktike për të rritur aktivitetin fizik në të gjithë botën. OBSH botoi ACTIVE, një paketë teknike që i ndihmon shtetet të planifikojnë dhe të përçojnë zgjidhjet e tyre. Në vitin 2019, u shpallën udhëzuesit e rinj të OBSH-së mbi aktivitetin fizik, zakonet sedentare dhe gjumin tek fëmijët nën 5 vjeç.

Asambleja Botërore e Shëndetësisë e mirëpriti raportin e Komisionit për t’i dhënë Fund Obeziteti tek Fëmijët (2016) dhe 6 rekomandimet e tij, që adresojnë mjedisin obezogjenik dhe periudhat kritike në kursin e jetës, që do të sfidojnë obezitetin tek fëmijët. Plani i zbatimit që udhëzon shtetet në ndërmarrjen e aksionit, për të vënë në zbatim rekomandimet e Komisionit, u mirëprit nga Asambleja Botërore e Shëndetësisë, në vitin 2017.

Burimi: OBSH | Data e artikullit origjinal: 2 prill 2020

Kjo lëndë është pjesë e një serie me artikuj të ngjashëm rreth mbipeshës dhe obezitetit.

 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme