Ushqimet e reja

Lloje të reja ushqimesh bëhen pjesë në tryezat tona gjatë gjithë kohës. Rritja e globalizmit, diversitetit etnik dhe kërkimi i burimeve të reja të ushqimeve janë shtytësit kryesorë për larmishmërinë e produkteve ushqimore në tryezat tona.

Nocioni “Ushqim i Ri” nuk është dhe aq i ri! Gjatë historisë, llojet e reja të ushqimeve, përbërësit e ushqimit ose mënyrat e prodhimit të ushqimit kanë gjetur rrugën e tyre për në Europë nga të gjitha cepat e globit. Bananet, domatet, makaronat, frutat tropikale, misri, orizi, një gamë e gjerë e erëzave – të gjitha fillimisht erdhën në Evropë si ushqime të reja. Ndër ardhjet e fundit janë farat chia, ushqimet me bazë algash, frutat e baobab dhe fizalis (tokëza peruane ose kulumbiane).

Sipas rregulloreve të BE-së, çdo ushqim që nuk ishte konsumuar “në mënyrë të konsiderueshme” para Majit të vitit 1997, konsiderohet të jetë një ushqim i ri. Kategoria “Ushqim i Ri” përfshin ushqime të reja, ushqime nga burime të reja, substanca të reja të përdorura në ushqim si dhe mënyra e teknologji të reja për prodhimin e ushqimit. Shëmbujt përfshijnë; vaj të pasur me acide yndyrore omega-3 nga krustacet si një burim i ri ushqimi; fitosterole ose sterole bimore si një substancë e re ose nanoteknologjia si një mënyrë e re për prodhimin e ushqimit.

Ushqimi tradicional është një nëngrup i ushqimeve të reja dhe i referohet ushqimit që konsumohet tradicionalisht kudo jashtë Europës.

Korniza ligjore e BE

Parlamenti dhe Këshilli Europian miratuan një rregullore të re në Nëntor 2015, duke shfuqizuar Rregulloren (KE) Nr. 258/97. Rregullorja (BE) 2015/2283 për ushqimet e reja prezanton një procedurë të përqëndruar të vlerësimit dhe autorizimit që e bën procesin më të efektshëm.

Që në 1 Janar 2018, Komisioni Europian ka qenë përgjegjës për autorizimin e ushqimeve të reja dhe si pjesë e procedurës EFSA mund të kryejë një vlerësim shkencor risku për të përcaktuar sigurinë e tyre.

Për njoftimin e ushqimeve tradicionale nga vendet e treta, rregullorja e re thjeshton procesin e autorizimit duke kërkuar prova të përdorimit të sigurt në të paktën një vend jashtë BE-së për një periudhë 25 vjeçare. Një njoftim i dërgohet Komisionit Europian dhe pastaj i përcillet të gjitha Shteteve Anëtare dhe EFSA-s. Brenda katër muajve nga marrja e një njoftimi të vlefshëm, një Shtet Anëtar ose EFSA mund të paraqesin kundërshtime për sigurinë e vendosjes në treg të ushqimit tradicional të njoftuar.

Që kur rregullorja e re e BE-së hyri në fuqi në Janar 2018, procesi për vlerësimin shkencor të riskut të një ushqimi të ri është centralizuar. EFSA kryen vlerësim risku mbi sigurinë e një ushqimi të ri me kërkesë të Komisionit Europian.

Ushqimet e reja

EFSA kryen vlerësimin e riskut bazuar mbi dosjen e aplikantit. Dosjet duhet të përmbajnë të dhëna mbi përbërjen, vlerat ushqyese, toksikologjike dhe elergene të ushqimit të ri si dhe informacion mbi proceset respektive të prodhimit, përdorimin e propozuar dhe nivelin e përdorimit.

Ushqimet tradicionale

Ushqimi tradicional është një nën-grup i ushqimeve të reja. EFSA, paralelisht me shtetet anëtare, vlerëson përdorimin e sigurt të produkteve të ushqimeve tradicionale mbi informacionin e dhënë nga aplikanti. Këto fakte duhet të demonstrojnë përdorimin e sigurt të ushqimit tradicional në të paktën një vend jashtë BE-së për një periudhë prej të paktën 25 vite.

EFSA nuk vendos nëse një ushqim konsiderohet si një ushqim i ri apo tradicional nga një vend i tretë; kjo është përgjegjësi e menaxherëve të riskut të BE-së. Në mënyrë të ngjashme, menaxherët e riskut vendosin nëse një ushqim i ri ose ushqim tradicional nga një vend i tretë mund të vendoset apo jo në tregun e BE-së, duke përfshirë kushtet e autorizuara për përdorim.

Për më tepër, gjeni linkun: https://youtu.be/yyySfT4_1Ss?list=PL77B6F5984D1D92AE

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme

Njoftim

Lënda: Ftesë për negociatë, “Për botim në median e shkruar”.