USHQIMI SI SHKENCË, JO RASTËSI

isuf_shehuNga Isuf Shehu

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është një njësi shkencore, e cila duhet të ketë për qëllim shmangien e problemeve dhe evidentimin e risqeve, përpara se ato të kthehen në kërcënim për jetën e qytetarëve. Për këtë qëllim, Autoriteti nuk duhet të mendohet si një polici ushqimi, as si një inspektorat i zakonshëm kontrolli. Aq më tepër, nuk mund të mendohet, apo të pretendohet, që inspektimi i Operatoreve te Biznesit Ushqimor (OBU) të bëhet mbi bazën e planifikimit. Unë besoj se veprimtaria e AKU konsiston në parashikimin e çdo risku dhe eliminimin e çdo pasoje që do të ndikonte në shëndetin e qytetarëve. Në të kundërt, ne kthehemi në kronikanë të thjeshtë të ngjarjeve të paralajmëruara. Për të mbërritur në një koncept të ri funksionimi, ne duhet të përcaktojmë kriteret, standardet dhe praktikat që lidhen me sigurinë ushqimore. Për prodhuesit vendës, procesi teknologjik duhet të jetë në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa lënda e parë duhet të jetë e kontrolluar, bashkë me kushtet e ruajtjes dhe tregtimit. Për sa u përket importeve, qëllimi i përdorimit të tyre, cilësia dhe siguria, duhet të jenë të njohura për konsumatorin shqiptar. Pra, frekuenca e veprimtarisë së Autoritetit duhet të shtrihet nga ferma deri në tavolinën e konsumatorit.

Për mua si drejtues i këtij Autoriteti, sfida është e madhe: Standardizimi i procedurave të inspektimit dhe rritja e cilësisë së inspektimit, kontroll i vazhdueshëm i OBU, vënia në eficiencë të plotë të laboratorëve rajonalë, ndërgjegjësimi i konsumatorit për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e tyre, si dhe përmirësimi i klimës për prodhuesit vendës.

Nga ana tjetër, sot më shumë se kurrë shihet nevoja e përafrimit dhe përthithjes së legjislacionit dhe praktikave me të suksesshme të vendeve të Bashkimit Evropian dhe ky proces duhet të kryhet pa hezitim. Një pjesë e këtij procesi përthithës lidhet ngushtë me varësinë e Autoritetit. Për këtë shkak, zgjidhjen ne duhet ta shohim te modelet më të suksesshme evropiane, të cilat në çdo rast tregojnë se këto autoritete, veçanërisht ato të ushqimit, kanë varësi të plotë veçse nga ligji. Ne me fanatizëm, por edhe me pak egoizëm, mund të pretendojmë se gëzojmë një traditë në lidhje me çështjen e sigurisë ushqimore dhe menaxhimin e saj. Por e vërteta është se të ushqyerit është shkencë dhe të qenit avangardë nuk përbën luks por diçka normale dhe qëllim në vetvete.

Për të arritur këtë qëllim, mjafton të kujtojmë se trupi i çdo individi, shtetas i BE-së ose jo, është i ndërtuar njëlloj: Të gjithëve në damarë na qarkullon gjak, kemi të njëjtat organe dhe në princip në kushte normale funksionojmë po njëlloj, ndaj nuk duhet të hezitojmë në adaptimin e sistemit të menaxhimit dhe implementimit të kornizës më të mirë ligjore, sepse kur bëhet fjalë për shkencë, ngelet vetëm që sistemet dhe formulat të përshkruhen dhe shndërrohen në akte zyrtare, ligje dhe akte nënligjore, në zbatim të plotë të principeve të teknikës legjislative. Fatmirësisht shndërrimi i formulave dhe sistemeve në norma është bërë tashmë në vendet e zhvilluara, ndaj ne na mbetet veçse t’i shqipërojmë ato.

A mundemi ne të arrijmë vërtet në standardin për ta perceptuar të ushqyerit si shkencë dhe në kontrollin praktik të zbatimit të kësaj shkence? Përveç adaptimit të ligjeve të sotme të BE-së, nevojitet që Autoriteti të mos shihet si një strukturë që gjobit prodhuesit dhe tregtuesit, por që u vjen në ndihmë atyre që të bëjnë të mundur që bashkëqytetarët tanë të jenë të sigurt në atë që konsumojnë. Ne jemi të bindur se sot gjithkush është i shqetësuar për cilësinë e asaj që konsumon. Personalisht, përveç pasurimit logjistik me laboratorët e duhur për të kryer si duhet këtë monitorim, do të kërkoj në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin e publikut, që ne të bëjmë të mundur që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të shihet nga çdo bashkëqytetar si garantues i prodhimit që mbërrin në tryezat shqiptare.

Ushqimi është përditshmëria jonë, që s’mund të lihet në dorë të rastësisë, e as vetëm duke besuar se rregullohet vetëm përmes ndëshkimit. Ushqimi duhet parë si shkencë dhe duhet trajtuar si e tillë edhe nga shteti.

ish-Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU)

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme

Njoftim

Lënda: Ftesë për negociatë, “Për botim në median e shkruar”.