Rrjeti i Koordinatorëve Antikorrupsion

Rrjeti i Koordinatorëve Anti-Korrupsion është një strukturë nën drejtimin e Koordinatorit Kombëtar kundër korrupsionit, Ministrit të Drejtësisë. Me urdhrin nr. 106, datë 25.07.2019 të Kryeministrit, “Për krijimin, përbërjen dhe funksionimin e Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion, të ndryshuar me Urdhrin e Kryeministrit nr. 86, datë 25.06.2020, përcaktohet krijimi dhe funksionimi i kësaj strukture.

Objektivi i kësaj strukture është lufta kundër çdo lloj forme të korrupsionit dhe forcimi i besimit te qytetarët për një administratë publike, efiçente dhe me integritet të lartë në shërbim të qytetarit.

Rrjeti i Koordinatorëve Antikorrupsion mbledh, analizon dhe koordinon të gjithë informacionin për rastet korruptive të referuara nga burime të ndryshme përmes bashkëpunimit me strukturën përgjegjëse për Anti-Korrupsionin në Ministrinë e Drejtësisë, Task Forcën Ndërinstitucionale Anti-Korrupsion dhe strukturat e tjera antikorrupsion, me qëllim parandalimin, goditjen dhe rritjen e ndërgjegjes publike kundër korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore dhe tek qytetarët.

Risia që sjell kjo strukturë është shpejtësia dhe efikasiteti në trajtimin e ankesës apo denoncimit nga qytetarët. Përmes këtij mekanizmi kombëtar të referimit të korrupsionit të të gjitha niveleve, çdo qytetar mund t’i qaset edhe direkt koordinatorit për të denoncuar apo raportuar çdo parregullsi nga më të lehtat deri te rastet korruptive.

 

Koordinatori i rrjetit Antikorrupsion do të jetë avokati i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit, duke marrë dhe verifikuar denoncimet e tyre për veprimet korruptive. Pjesë e rregullimeve të proceseve të punës është dhe ruajtja e anonimatit të çdo denoncuesi si dhe garancia në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe përpunimit të informacionit. Qytetarët do të jenë aleatët e koordinatorëve në identifikimin dhe adresimin e rasteve korruptive, pasi janë ata që marrin shërbime në këtë institucion.

 

E-mail: Adenil.Pjetri1@drejtesia.gov.al

           koordinatori.ak@drejtesia.gov.al