Raporti Vjetor

Në përputhje me parashikimet e VKM-së Nr. 1081 datë 21.10.2009 (i ndryshuar), në vijim raporti vjetor i veprimtarisë së AKU-së për vitin 2019.

Në qasjen e re të AKU ndaj biznesit është ndjekur një politikë ndryshe me qëllim që ky institucion të mos konsiderohet si gjobëvënës, por si një partner i rëndësishëm i Operatorëve të Biznesit, pasi garantimi i sigurisë ushqimore në vend dhe mbrojtjes së konsumatorit është një sfidë e përbashkët që kërkon një vlerësim dhe një impenjim maksimal nga të dy palët: operatorët e biznesit ushqimor nga njëra anë dhe autoriteti publik nga ana tjetër, duke sjellë shkëmbimin e përvojave, forcimin e besimit të ndërsjelltë, por çfarë është më e rëndësishme rritjen e transparencës.

Për arritjen e këtyre objektivave, AKU ka detyrime specifike për kontrolle/inspektime ndaj subjekteve që operojnë në fushën e ushqimit dhe inputeve bujqësore, kryerjen e vlerësimit të riskut në fushën e sigurisë ushqimore, menaxhimit dhe komunikimit të tij.

  • Përgjatë vitit 2019 AKU realizoi gjithsej 29,206 inspektime në terren, nga të cilat 21,288 inspektime bazuar në planin vjetor të inspektimeve, 7,918 inspektime jashtë programit bazuar në planet e veprimit/monitorimit të miratuara nga Ministri i MBZHR dhe Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, denoncimeve të ndryshme, ankesave të qytetareve, apo atyre mediatike, alerteve nga sistemi RASFF, si dhe ri inspektimeve për verifikimin e detyrave të lëna në inspektimin paraardhës. Gjithashtu AKU gjatë kësaj periudhe realizoi dhe 68,245 inspektime në Pikat e Inspektimit Kufitar.
  • Në rastet kur nga trupat inspektuese janë konstatuar mosplotësim i kërkesave ligjore AKU ka marrë masat administrative përkatëse dhe konkretisht 7,487 masa administrative “paralajmërim” dhe ka vendosur 904 masa administrative “gjobë” me një vlerë totale prej 259.15 milion lekë. Nga 424 masa administrative “gjoba” të ankimuara tek Komisioni i Vlerësimit të Ankimeve Administrative pranë AKU, në 218 raste Komisioni ka lënë në fuqi masën e dhënë nga inspektori i AKU-së ndërsa në 5 raste Komisioni ka pranuar kërkesat ankimore. Nga 213 procese gjyqësore për 174 kërkesë-padi, gjykata ka vendosur rrëzimin e kërkesë-padisë (pra lënien në fuqi të akteve administrative) si të pa mbështetur në ligj dhe prova ndërsa për 39 prej tyre ka vendosur pranim-padie. Vendime gjyqësore të cilat janë ankimuar nga AKU dhe për të cilat për shkak të afateve të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Administrative të Apelit ende nuk ka vendim gjyqësor.
  • Ne kuadër të rritjes së cilësisë së inspektimeve nga AKU është realizuar rishikimi në themel dhe përmirësimi i listave të verifikimit për thertoret, njësitë e tregtimit të mishit, anijet e peshkimit, tregtimin e PMB-ve, si dokument shumë i rëndësishëm që përdoret gjatë kontrolleve zyrtare, në të cilat implementuam zbatimin tërësisht të kërkesave rregullatore, reflektimin e ndryshimeve ligjore, si dhe rekomandimet e FVO duke pasur pritshmëri jo vetëm rritjen e cilësisë së inspektimit, por edhe sensibilizimin e vetë OB për zbatimin e kërkesave ligjore.
  • Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së kryen gjenerimin e certifikatave të Eksportit për produktet me origjinë shtazore (produktet e peshkut, produkteve të peshkimit, si dhe vezë të klasit “B”). Eksportet e kryera drejt vendeve të BE-së realizohen nëpërmjet sistemit TRACES ku Shqipëria është pjesë e këtij sistemi dhe e përdor me sukses atë, në të gjitha hallkat e përfshira. Ky sistem jo vetëm lehtëson gjurmueshmërinë e produkteve të cilat shkojnë drejt BE por në të njëjtën kohë ka rritur edhe besueshmërinë e produkteve shqiptare dhe ka përmirësuar ndjeshëm funksionimin e zinxhirit të kontrollit.
  • Gjatë kësaj periudhe AKU ka ndërmarrë nisma e plane konkrete veprimi të miratuara e monitoruara nga MBZHR, të cilat çuan në konsolidimin e AKU dhe forcimin e pozitës së saj si aktor kyç në misionin për garantimin e Sigurisë Ushqimore.
  • Forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit institucional, si në nivel kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar, kanë sjellë efikasitet të veprimit dhe një rritje të cilësisë dhe shpejtësisë së shkëmbimit të informacionit në lidhje me sigurinë ushqimore, në aspektin operacional, në rastet kur gjatë kontrolleve janë konstatuar shkelje që i përkasin edhe institucioneve të tjera, si p.sh: hetimi tatimor, doganor, krimi ekonomik, policia e shtetit, etj. duke i njoftuar ato; por edhe në aspektin e planeve të përbashkëta të veprimit siç është: Plani Operacional i Përbashkët Opsion 7 “Për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, trafikimit importimit/eksportimit të mallrave ushqimore dhe pijeve të falsifikuara/nën standarde, i cili është një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e zyrtarizuara me Sekretariatin Qendror të Interpolit.
  • Dihet tashmë që informaliteti është një fenomen i cili sjell si pasojë jo vetëm evazion fiskal por cënon rëndë edhe sigurinë ushqimore. Ky fenomen frenon gjithashtu investimet e OBU-ve për rritje të standardeve të sigurisë ushqimore. Për përmirësimin e kësaj situate AKU hartoi dhe vuri në zbatim një plan veprimi gjatë vitit 2019 me qëllim identifikimin e OBU-ve që operojnë në treg pa ju nënshtruar kontrolleve zyrtare nga AKU. Si rezultat i këtij plan veprimi u identifikuan rreth 5000 subjekte të reja të cilat ju shtuan data bazës të OBU-ve në AKU. Në fakt një element tjetër i strategjisë së AKU-së në lidhje me minimizimin e këtij fenomeni ka qenë edhe bashkëpunimi në nivel qendror dhe rajonal me Drejtorinë e Tatimeve nëpërmjet shkëmbimit të informacionit zyrtar të vazhdueshëm e cila është finalizuar me nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët ku janë përcaktuar qartë detyrat dhe fushat e bashkëpunimit.
  • Për vitin 2019 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është njoftuar nga Sistemi Ndërkombëtar RASFF gjithsej 18 herë: nga të cilat 8 njoftime Alert, 9 Njoftime Informacion Për Vëmendje, 1 Njoftim Refuzim në Kufi. Referuar njoftimeve të ardhura janë mbyllur procedurat dhe AKU ka njoftuar sistemin RASFF mbi rezultatet e kontrollit zyrtar për 16 njoftime, ndërkohë që 2 njoftimet e fundit rezultojnë të pa hedhura në sistem për shkak se janë në pritje të procedurës së asgjësimit të produktit. Gjithashtu, me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe vendeve të BE-së, si dhe sigurimin e mbrojtjes së konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar sistemin RASFF për produktet e importuara për të cilat është identifikuar një risk. Në këtë mënyrë për vitin 2019 janë hedhur në sistemin RASFF nga AKU 18 njoftime të kategorisë Refuzim në Kufi ku risku i identifikuar është prania e Salmonella spp për kategorinë “mish” me origjinë nga Brazili.
  • Gjithashtu gjatë vitit 2019 faqja zyrtare web e AKU-së është ristrukturuar duke i dhënë një imazh të ri dhe duke e bërë më lehtësisht të aksesueshme për të gjithë vizitorët e saj. Faqja web është mirëmbajtur, duke u përditësuar gjithnjë me informacione për aktivitetin e AKU-së në të gjithë territorin e vendit (kontrollet e kryera, masat e marra sipas rastit dhe botime shkencore). Ne faqen zyrtare janë lancuar edhe publikime informuese dhe sensibilizuese (këshilla për sigurinë ushqimore dhe publikime të EFSA etj.), të cilat janë të publikuara në website dhe faqen zyrtare Facebook të AKU-së. Referuar të dhënave, vërehet një rritje e kërkesave për informacion gjatë vitit 2019 krahasuar me vitin 2018. Kjo rritje vë në dukje rritjen e sensibilitetit të konsumatorëve, OBU-ve, si dhe vetë medias në lidhje me çështjet që prekin drejtpërdrejtë sigurinë ushqimore.
  • Në kuadër të ndërgjegjësimit të konsumatorit gjatë muajve të parë të vitit u realizua trajnimi për fëmijët e shkollave me temë “Siguria Ushqimore në Shkolla”, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit kjo nismë u mor me synim rritjen e informacionit dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve në lidhje me sigurinë ushqimore. Ky trajnim e pati pikënisjen në kryeqytet dhe pastaj u shtri në të gjitha rajonet e vendit.
  • Pjesëmarrja në Panairin “Shqipëria Punon Tokën”, zhvilluar në datat 16 dhe 17 Nëntor 2019, ku AKU u përfaqësua me stendat e saj. Gjatë këtyre dy ditëve u vërejt një interes i lartë për informacione në lidhje me sigurinë ushqimore. Komunikimi ishte i drejtpërdrejt dhe ndërveprues, midis përfaqësuesve të stendës së AKU-së me OBU-të pjesëmarrëse në panair, duke ju ofruar informacion dhe sugjerime për përmirësimin e aktivitetit që kryejnë në subjektet e tyre, si dhe duke mbajtur shënime për çdo pyetje apo sugjerim të konsumatorëve dhe OBU-ve. Gjatë këtij aktiviteti me funksion informues, u bë shpërndarja e fletëpalosjeve ndërgjegjësuese për OBU-të me temë “Së bashku, në funksion të përmirësimit të klimës së biznes-bërjes”.
  • AKU duke pasur në fokus këshillimin e vazhdueshëm të OBU-ve për respektimin e kërkesave ligjore dhe përmbushjen e standardeve ka bërë të mundur që gjatë tre muajve të fundit të vitit 2019 të mos ketë asnjë incidencë ushqimore në rang kombëtar.
  • AKU është angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë ushqimore për banorët e prekur nga tërmeti i datës 26.11.2019, duke hartuar urgjentisht një plan masash me qëllim organizimin e grupeve të gatshme të punës në çdo vend grumbullim të produkteve ushqimore për të parandaluar shpërndarjen e produkteve të cilat nuk përmbushin standardet e sigurisë ushqimore. Nga data 27.11.2019 – 30.12.2019 DRAKU Durrës ka monitoruar vazhdimisht 20 vend grumbullime të produkteve ushqimore dhe vend akomodime të banorëve duke realizuar 512 inspektime. Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar rreth 2 ton produkte ushqimore të papërshtatshme për konsum njerëzor të cilat janë asgjësuar.

Problematikat e evidentuara

Përmbushja e misionit për të cilin është krijuar AKU, garantimi i sigurisë së ushqimit në vend dhe mbrojtja e konsumatorit, është përballur me sfida dhe pengesa të shumta ndër të cilat më kryesoret janë:

  • Strukturimi jo eficent i këtij institucioni pasi struktura dhe Organika aktuale e AKU-së paraqesin domosdoshmëri për ndërhyrje në rishpërndarjen e pozicioneve bazuar në tre komponentë kryesorë:

së pari ristrukturimin e të gjitha strukturave apo sektorëve specifik në funksion të detyrave funksionale qe ka ky institucion;

së dyti në funksion të ngarkesës në punë të Drejtorive Rajonale, kjo pasi referuar numrit të inspektorëve në secilën prej tyre një Operator Biznesi Ushqimor i të njëjtit nivel risku inspektohet më shumë në Qarkun Kukës se sa në Qarkun Tiranë, një inspektor në Pikën e Inspektimit Kufitar Rinas ka shumë më pak inspektime, krahasimisht me një inspektor të Pikës së Inspektimit Kufitar Durrës.

se treti evidentojmë se për shkak të një strukturimi të mangët të Drejtorisë së Vlerësimit dhe Komunikimit të Riskut ka defiçencë në ushtrimin e funksioneve të vlerësimit të riskut, pasi nuk ka një strukturë apo njësi organizative specifike e cila është e ngarkuar me kryerjen e një analize apo vlerësimi të mirëfilltë risku.

Draftimi i një strukture duke marre parasysh këta tre komponentë do të mundësonte rritjen e efiçencës së AKU-së në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore në vend dhe mbrojtjes së konsumatorit.

  • Aktualisht kontrollet zyrtare në Pikat e Inspektimit kufitar nuk realizohen online në diferencë nga inspektimet që kryhen në terren. Me qëllim rritjen e transparencës është domosdoshmëri implementimi i procedurës së inspektimit në platformën e-inspektimi.
  • Një problem evident është mungesa e manualeve të procedurave standarde të inspektimit, dokument i cili rrit drejtpërsëdrejti cilësinë e inspektimeve duke orientuar qartë çdo inspektor për mënyrën e kryerjes së një inspektimi të standardizuar.
  • Njohuri të kufizuara dhe mungesë ekspertize në OBU lidhur me sigurinë ushqimore dhe mosnjohje e kuadrit ligjor dhe rregullativ prej tyre kryesisht në lidhje me sistemin e gjurmueshmërisë dhe implementimin e planit HACCP.
  • Aktualisht gjenerimi i certifikatave të eksportit nuk kryhet automatikisht nga sistemi por manualisht, pasi AKU-net nuk funksionon.

OBJEKTIVAT E AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT, VITI 2020

Në funksion të përmbushjes së misionit të AKU-së për garantimin e sigurisë së ushqimit në vend dhe mbrojtjes së konsumatorit, objektivat e këtij institucioni për vitin 2020 do të jenë :

  • Ristrukturimi i AKU-së për të krijuar mundësinë që ky institucion të përmbushë me sukses misionin që i ka dhënë ligji dhe të fitojë vitalitetin e institucioneve homologe të vendeve evropiane duke u transformuar në një institucion inteligjent që inspektimet ti kryejë mbi bazën e një analize të mirëfilltë të riskut si dhe parandalimit të praktikave të falsifikimit apo mashtrimit ushqimor.
  • Institucionit duhet ti ofrohet fleksibiliteti i nevojshëm për ndërtimin dhe administrimin e marrëdhënieve të punës në përputhje me natyrën e shërbimit (si agjenci ekzekutive dhe jo politikbërëse apo rregullatore) dhe fokusit të veprimtarisë së AKU-së (mbrojtja e shëndetit dhe interesave të konsumatorëve) në ngjashmëri me praktikat e aplikuara nga institucionet analoge.
  • Rishikim dhe përmirësim i Planit vjetor të inspektimeve me bazë risku, duke përfshirë përveç elementëve të tjerë edhe historikun e çdo OBU.
  • Rishikimin dhe miratimin e manualeve te procedurave standarde të inspektimit (SOP).
  • Ndërgjegjësimin e OBU-ve për zbatimin e kërkesave ligjore nëpërmjet këshillimit te vazhdueshëm dhe organizimit të trajnimeve me tematika specifike për këta të fundit kryesisht në fushën e implementimit të sistemit të vetëkontrollit HACCP dhe sistemit të gjurmueshmërisë.
  • Identifikimi i kërkesave dhe nevojave adekuate për trajnimin e inspektorëve të DRAKU nga secili sektor i DP, si dhe përgatitja e moduleve përkatëse të trajnimit.
  • Vënia në efiçencë të plotë të mekanizmit të kontrollit të brendshëm, me qëllim identifikimin e pikave të dobëta dhe përcaktimin e prioriteteve për çdo funksion të AKU-së.
  • Përgatitja e një moduli trajnimi (pocket book) për kontrollin e gjurmueshmërisë së produkteve ku të ketë raste specifike për produkte apo grup produktesh të caktuara, pasi mosfunksionimi i gjurmueshmërisë realisht cënon rëndë sigurinë ushqimore.
  • Rritja e cilësisë së inspektimeve nëpërmjet rishikimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të dokumenteve të procedurës së inspektimit dhe akteve rregullative.
  • Kryerja e procedurës së inspektimit online në Pikat e Inspektimit Kufitar.
  • Identifikimi i rreziqeve potenciale fiziko – kimike dhe adresimi i saktë i tyre tek panelet shkencore.

Bashkëlidhur gjeni veprimtarinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit më të detajuar gjatë vitit 2019.

Raporti VJETOR 2019