Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pas fushatës informuese për ndërgjegjësimin e operatorëve të biznesit ushqimor, vijon kontrollet rigoroze për përmbushjen e kërkesave ligjore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.
Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë ka kryer kontrolle në dy operatorë të biznesit ushqimor që ushtronin prej vitesh aktivitetin në informalitet të plotë të sigurisë ushqimore. Kontrolli është ushtruar pas informimit paraprak të këtyre operatorëve për përmbushjen e kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore dhe në kushtet e mosveprimit nga ana e tyre. Nga kontrolli ka rezultuar se:
·         Subjekti me aktivitet “Restorant” Kamëz, Tiranë, ushtronte veprimtarinë i papajisur me licencën përkatëse, në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (frigoriferët ishin të amortizuar dhe me prani ndryshku, mungonte analiza e ujit dhe lavamani ishte i dëmtuar) dhe pa manualin/sistemin e vetëkontrollit (HACCP).
·         Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
  1. “Gjobë” me vlerë 2,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse,
  2. “Gjobë” me vlerë 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
  3. “Gjobë” me vlerë 200,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP),
  4. “Ndërprerje e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në licencimin e tij.
·         Subjekti me aktivitet “Market” Kamëz, Tiranë, ushtronte veprimtarinë i papajisur me licencën përkatëse, pa manualin/sistemin e vetëkontrollit HACCP (nuk mbante regjistra për monitorimin e temperaturave në ambientet frigoriferike, nuk mbante regjistra pastrimi dhe dezinfektimi etj.), si dhe nuk posedonte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte.
·         Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:
  1. “Gjobë” me vlerë 2,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse,
  2. “Gjobë” me vlerë 200,000 lekë për mungesë të manualit të vetëkontrollit,
  3. “Gjobë” me vlerë 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
  4. “Gjobë” me vlerë 200,000 lekë për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit,
  5. “Ndërprerje e aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në licencimin e tij.
AKU, ndërkohë që vijon punën intensive në të gjithë vendin, duke kontrolluar zbatimin e kërkesave ligjore, ju bën thirrje të gjithë operatorëve të biznesit ushqimor që të kontrollojnë plotësimin e dokumentacionit për ushtrimin e aktivitetit në përputhje me ligjin, duke shmangur në këtë mënyrë masat administrative.​

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052