Në kuadër të komunikimit me palët e interesuara, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dhënë sqarimet e mëposhtme ndaj interesimit të disa mediave.

Pyetja 1.     Sa kontrolle ka kryer AKU për prodhimet bujqësore? Ku i ka kryer kontrollet?

Sqarim 1 Në zbatim të detyrave funksionale, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kryen kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët e biznesit ushqimor (OBU), me qëllim verifikimin/plotësimin e kërkesave ligjore të parashikuara në legjislacionin që disiplinon sigurinë ushqimore. Për periudhën 1 Janar – 30 Qershor 2019, Autoriteti Kombetar i Ushqimit ka kryer 47,793 kontrolle, nga të cilat 14,630 kontrolle jane kryer ne stabilimentet e OBU-ve dhe 33, 163 kontrolle jane ushtruar mbi ngarkesat qe importohen, tranzitohen apo ekspoerohen ne Pikat e Inspektimit në Kufi.

Nga pikëpamja operacionale dhe juridiksionale të strukturës së mandatur për të ushtruar kontrolle, sqarojmë se Autoriteti Kombetar i Ushqimit, bazuar në Ligjin Nr.9863, datë 28.1.2008 “Për Ushqimin” i ndryshuar (neni 3, pika 1 ku termi “ushqim” nuk përfshin bimët dhe frutat, përpara korrjes ose vjeljes) është i legjitimuar të kryejë kontrolle të produkteve bujqësore vetëm në treg por jo në ferma.

AKU kryen kontrolle zyrtare, bazuar në:

  1. Planin Vjetor të Inspektimeve me Bazë Risku, të miratuar nga Ministri i MBZHR, në Operatorë të ndryshëm të Biznesit Ushqimor (OBU), ku përfshihen edhe subjektet me aktivitet: pika grumbullimi, magazina ruajtje, dhoma frigoriferike të frutave -perimeve, si dhe të gjithë subjektet me aktivitet importues dhe tregtues të produkteve ushqimore për fruta dhe perimet;
  2. Planin Kombëtar të Monitorimit të Pesticideve në produktet me origjinë bimore; si dhe
  3. Urdhëra specifik në përmbushje të kërkesave ligjore.

Pyetja 2.      Sa analiza ka kryer AKU për fruta-perimet? Ku i kryen AKU analizat, në cfarë laboratorësh? 

Sqarim 2:   Edhe për këtë vit, nga MBZHR sipas Udhëzimit Nr.2/1, datë 18.03.2019 është hartuar një plan kombëtar “Për monitorimin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore, në produktet: mollë, karrotë, banane, sallatë jeshile, domate, spinaq, kastravec, patate, rrush tavoline, rrush për verë, speca, ullinj tavoline”, plan në të cilin përcaktohet qartë se AKU është përgjegjëse për marrjen e mostrave  (shpërndarja e marrjes së mostrave është përcaktuar për çdo muaj dhe për çdo qark) ndërsa analizimi i tyre do të kryhet në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV).

Për 6 mujorin e parë 2019, rezultojnë të dërguara për analizimin në ISUV 189 mostra , prej të cilave, vetem 4 prej tyre kanë rezultuar jashtë normave të lejuara dhe ndaj OBU në të cilat janë marrë këto mostra janë marrë masa administrative të parashikuara në legjislacionin në fuqi dhe konkretisht: “Gjobë” për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, gjobë për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit dhe gjobë për hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum.

AKU nuk është mjaftuar vetëm me ushtrimin e kontrolleve zyrtare në OBU që operojnë në këtë fushë (subjektet grumbulluese, magazinuese dhe shpërndarëse të frutave-perimeve), por në muajin Dhjetor 2018 u ka dërguar një shkresë të personalizuar me qëllim sensibilizimin  dhe informimin e tyre në lidhje me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve ligjore. 

Pyetja 3.     A jeni të certifikuar për të gjitha analizat që kryeni?

Sqarim 3:   Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë laboratorë të kontrollit zyrtar dhe si të tillë në zbatim të kërkesave ligjore të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008, “Për ushqimin”, i ndryshuar, kryejnë analiza në kuadër të kontrollit zyrtar për mostrat e marra në kuadër të Planit Kombëtar të Kontrolleve Zyrtare me Bazë Risku dhe marrjes së mostrave për ushqimin, ushqimin për kafshë, si dhe Planin e Marrjes së Mostrave në PIK, për Operatorë të Biznesit Ushqimor, të cilët prodhojnë/përpunojnë/amabalazhojnë produkte të cilat janë të destinuara për t’u nxjerrë në treg.

Këta Laboratorë kyejnë analiza në lidhje me kriteret e sigurisë së produkteve ushqimore dhe ato të proceseve të higjenës, si dhe analiza në lidhje me treguesit cilësorë të produkteve ushqimore shtazore dhe joshtazore, tregues të përputhshmërisë së treguesve të deklaruar në etikete me rezultatin e analizave, disa tregues analitik të sigurisë ushqimore, si dhe analiza për diagnostikimin e sëmundjeve dhe parazitëve të ndryshëm në kafshë dhe në produkte bimore dhe bimë.

Analizimi i pesticideve në fruta perime është procedurë e përcaktuar në Planin Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve me origjinë bimore, në të cilin ISUV përcaktohet në cilësinë e laboratorit testues dhe inspektorët e AKU si personat përgjegjës për kampionimin e produkteve.

Sjellim në vëmendje se në zbatim të kërkesave ligjore kreu VI të Ligjit Nr. 9863, datë 28.01.2008 Për ushqimin” i ndryshuar, “Operator i biznesit ushqimor” është çdo person fizik ose juridik, i regjistruar për të kryer veprimtari, që lidhen me biznesin ushqimor, përgjegjës për të siguruar se kërkesat e ligjit të ushqimit janë arritur në biznesin ushqimor tё kontrolluar prej tij, dhe mbajnë përgjegjësi për çdo dëmtim të shëndetit të njerëzve, të shkaktuar nga konsumi i ushqimit tё rezultuar i pasigurt, në të gjitha fazat e prodhimit, tё përpunimit dhe shpërndarjes.

Pyetja 4.     A është ISUV i certifikuar për të gjitha analizat?

Sqarim 4:   Në zbatim të  kërkesave ligjore neni 46 të ligjit Nr.9863, datë 28.1.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, Laboratori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë është laborator reference, për çdo analizë të kryer, për kontrollin zyrtar të sigurisë së ushqimeve. Një laborator mund të jetë laborator reference për një ose më shumë analiza. Për më shume informacion, kontaktoni drejtpërdrejtë ISUV.

Pyetja 5.     Sa ngarkesa janë kthyer nga pikat doganore? 

Sqarim 5:   Për vitin 2019, përsa i përket fruta-perimeve, rezulton se është asgjësuar një ngarkesë me produkt “banane” në sasinë 21 ton, me origjinë nga Costa Rica, pasi nga kontrolli i kryer u konstatuan si të pasigurta për konsum human (të prishura, të kalbura dhe të mykura). Përsa i përket eksporteve, rezulton se është kthyer një ngarkesë me produkt “shalqi” në sasinë 20.1 ton, pasi ngarkesa ka pësuar aksident rrugor në Maqedoninë e Veriut (rrugës drejt destinacionit, Serbisë) dhe subjekti  pritës në bashkëpunim me autoritetet përkatëse kanë vendosur kthimin në origjinë (Shqipëri) të sasisë prej 12.1 ton “shalqi”të padëmtuar (për sasinë prej 8 ton “shalqi” të dëmtuar u kryhen procedurat e asgjësimit), për shkak se sasia e mbetur nuk ishte në përputhje me faturat e blerjes, si dhe nuk përputheshin të dhënat me dokumentacionin shoqërues të ngarkesës.

Pyetja 6.     Sa ngarkesa keni nisur jashtë vendit dhe destinacionet?

Sqarim 6:   Lidhur me këtë pyetje, ju sugjerojmë të kontaktoni me “Agjencive Rajonale të Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve” (ARSHVMB), konkretisht “Shërbimit të Mbrojtjes së Bimëve”, pasi ata janë autoriteti kompetente për kryerjen e kontrollit fitosanitar dhe pajisjen me Certifikatë Fitosanitare  për cdo ngarkesë me bimë ose produkte bimore të cilat mund të përbëjnë rrezik potencial për përhapjen e parazitëve/parazitëve karantinor që eksportohen në vendet e BE e me gjerë dhe disponojnë të dhënat mbi sasitë dhe destinacionet e tyre.

Pyetja 7.     Nëse janë kthyer, ku shkojnë ngarkesat? 

Sqarim 7:   Në lidhje me ngarkesën e kthyer prej 12.1 ton “shalqi” (sipërpërmendur në sqarim 6), nga kontrolli i ushtruar nga inspektorët e AKU-së në bashkëpunim me Autoritetet Doganore, rezultoi se sasia e mallit ishte me cilësi të mirë, pa dëmtime mekanike dhe pa sëmundje. 

 

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052