Në vijim të interesimit dhe kërkesës për informacion të përfaqësuesve të mediave për çështje të ndryshme që lidhen me veprimtarinë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, për pyetjet e rradhës:

1.”Sa procesverbale janë bërë nga inspektorët për PMB kontrabandë gjatë viteve 2017-2018-2019?
2. Çfarë është bërë me këto PMB kontrabandë?”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon se:

Krahas detyrave të tjera funksionale, AKU në fushën e Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore, ka si mision të saj zbatimin me korrektësi të legjislacionit në fuqi me qëllim ruajtjen e shëndetit të konsumatorit dhe mbrojtjes së mjedisit. Realizimi i këtij misioni bëhet i mundur duke kryer koordinimin në kohë dhe me efikasitet, të kontrolleve zyrtare në të gjithë vendin, me synim menaxhimin e riskut në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore. Kontrollet zyrtare realizohen në zbatim të Planit Vjetor me Bazë Risku të miratuar nga Ministri i BZHR. Në zbatim të këtij plani, në 6-mujorin e parë të vitit 2019 janë realizuar gjithsej 2339 kontrolle. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e DRAKU për periudhën Janar-Qershor 2019, në rastet kur janë evidentuar shkelje të kërkesave ligjore, janë marrë masat administrative përkatëse dhe konkretisht:
  1. 31 masa administrative “Paralajmërime”
  2. 23 masa administrative “Gjobë” me vlerë 2,608,000 lekë;
  3. Bllokim të tregtimit të produkteve: 19.8 ton (fara) + 15 litra PMB + 0.02 Ton plehra;
  4. Asgjësim produkti: 49 ton (farë misri me fuqi mbirëse nën normën e lejuar).
Në harkun kohor 2017, 2018 , 2019, nga AKU, gjatë kontrolleve të ushtruara nga DRAKU, janë evidentuar gjithsej 7 raste të tregtimit të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) jashtë listës së miratuar nga MBZHR:
Për vitin 2017, AKU ka evidentuar 3 (tre) raste, 2 (dy) në Qarkun Tiranë dhe 1 (një) në Kukës, konkretisht:
  1. Më datë 18.10.2017, bazuar në planin vjetor të inspektimeve, u krye inspektim në subjektin “Farmaci Bujqësore” me adresë: rruga “Myslym Keta”, Tiranë. Gjatë inspektimit në subjekt u gjet PMB-ja “RAMPAGE 20 SP” sasia 10 paketa x 4 gr = 40gr e parregjistruar dhe pa dokumentacion shoqërues (subjekti deklaron që ketë produkt e ka marrë tek subjekti Sherif Subashi).
  2. Më datë 23.10.2017, në kuadër të gjurmueshmërisë për të evidentuar subjektin shpërndarës të këtij produkti, u krye inspektim në subjektin me adresë: Marikaj, Tiranë për “Tregtim të PMBve me pakicë”. Gjatë inspektimit në subjekt u gjet një PMB e parregjistruar “RAMPAGE”20 Sp sasia 1 kg, e cila kishte mangësi në dokumentacion. U la si detyrë që brenda tre ditëve të sjell dokumentacion përkatës. Më datë 26.10.2017 u mbyll praktika e inspektimit në subjekt. Edhe pse nga trupa inspektuese i la një afat 3 ditor, subjekti nuk ishte në gjendje të vinte në dispozicion të inspektorëve dokumentacionin shoqërues të produktit (procesverbalin e lëshuar nga inspektori i PIK, certifikatë origjine, certifikatë analizash) dhe deklaroi që këtë sasi e ka marrë në mirëbesim nga subjekti në Kukësi pa dokumentacion shoqërues. Trupa inspektuese në përfundim të inspektimit vendosi që në zbatim të nenit 20, pika 1 dhe nenit 28, pika 1 gërma “Ç” të Ligjit 105/2016 “ Për mbrojtjen e bimëve”, subjektit i jepet masa administrative ‘Gjobë” në vlerën 200.000 lekë, si dhe bazuar në nenin 28, pika 2 të këtij Ligji, i jepet masë plotësuese “Kthim të kësaj sasie tek furnizuesi” brenda datës 10 nëntor 2017.
  3. Në vijim të gjurmueshmërisë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të AKU, në datën 01/11/2017, u krye inspektim në Kukës, nga inspektorë të DP dhe DRAKU Kukës. Në subjekt, inspektorët gjetën 2 PMB të parregjistruara, konkretisht: GARDENTOP në sasinë: 59 paketa x 100gr = 5.9 kg dhe MICRROTHIOL BIOX MANZATE 75DG në sasinë: 2 paketa x 40gr= 80gr. Subjekti deklaron se produktet e sipërcituara e kanë origjinën nga Kosova. Gjithashtu, u evidentua fakti se subjekti nuk plotëson librin e shitjeve, si dhe nuk lëshon receta për PMB e klasifikuara të rrezikshme dhe me rrezik të lartë, si dhe një produkt të cilit i kishte kaluar afati i jetëgjatësisë, konkretisht produkti ZIRAM 76 WG në sasinë: 140 paketa x 60g = 8.4kg. Për shkeljet e sipërcituara, ndaj subjektit u mor masë administrative “Gjobë” në vlerën 300.000 lekë, si dhe “Bllokimi i produktit”. Meqënëse subjekti nuk posedonte asnjë lloj dokumenti për produktet e parregjistruara në vendin tonë, AKU ka bërë kallëzim penal për këtë subjekt.
Për vitin 2018, AKU ka evidentuar 3 (dy) raste, 1 (një) në Qarkun Lezhë, 1 (një) në Qarkun Fier dhe 1 (një) në PIK-Kapshticë, konkretisht:
  1. Më datë 12/06/2018 u krye inspektim në subjektin me aktivitet specifik “Tregtim me pakicë të PMB-ve”, me adresë Dajc, Lezhë. Gjatë inspektimit në subjekt u gjet një PMB (produkt mbrojtjës i bimëve) jashtë listës së miratuar për tregtim, konkretisht METANATE 90 SP në sasinë: 35 paketa x 10gr = 350. Për moszbatim të kërkesave ligjore, subjekti u ndëshkua me masë administrative “Gjobë” në vlerën 200.000 lekë (të reja), si dhe u bë “Bllokimi i produktit” (35 pakove METANATE 90 SP). Në bashkëpunim me Krimin Ekonomik (njoftuar nga AKU dhe dorëzuar aktet e mbajtura me shkresën nr.879 prot, datë 18.06.2018), dokumentacioni iu kalua Prokurorisë Lezhë për verifikimin e mëtejshëm të gjurmueshmerisë së këtij produkti. Sasia e bllokuar prej 350 gr është marrë nga Krimi Ekonomik Lezhë.
  2. Më datë 25/09/2018 u krye inspektim ne subjektin me aktivitet specifik “Tregtim me pakicë të PMB-ve”, me adrese Këmishtaj,Bashkia Divjakë. Gjatë inspektimit në subjekt u gjet një PMB (produkt mbrojtjës i bimëve) jashtë listës së miratuar për tregtim, konkretisht ORTOMONE 5 EC në sasine: 24 copë x 100ml = 2.4 litra. Gjithashtu, u evidentua fakti se subjekti tregtonte PMB në mungesë të drejtuesit teknik. Për moszbatim të kërkesave ligjore, subjekti u ndëshkua me masë administrative “Gjobë” në vlerën 300.000 lekë, si dhe u bë “Bllokimi i produktit” (24 copë ORTOMONE 5 EC). Nëpërmjet shkresës nr.2394prot date 03/10/2018 AKU i është drejtuar institucioneve kompetente përkatesisht drejtuesve të Policisë dhe Prokurorisë të qarkut Fier për veprime të metejshme pasi shkeljet e tejkalojnë klasifikimin si shkelje administrative në fushën e kompetencës së institucionit tonë.
  3. Më datë 02.08.2019, nga inspektorët e PIK-Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, është bërë bllokimi i produkteve të mëposhtëm:
  1. DISPERSS 20WG, Fungicid në sasinë 10 kg ,
  2. THEOCAL, Plerues Organik në sasinë 10 kg ,
  3. NPK KOMPLEKS në sasinë 100 kg,
  4. Boroplus, plehrues gjethor në sasinë 1litër.

        Produktet u magazinuan pranë magazinave doganore në Kapshticë, për vazhdimin e mëtejshëm të procedurës së asgjësimit

Për vitin 2019, AKU ka evidentuar 1(një) rast në Qarkun Fier, konkretisht:  
  1. Më datë 24/06/2019 u krye inspektim në subjektin me aktivitet specifik “Tregtim me pakicë të PMB-ve”, me adresë Cakran, Bashkia Fier. Gjatë inspektimit në subjekt u gjet një PMB (produkt mbrojtjës i bimëve) jashtë listës së miratuar për tregtim, konkretisht ROUNDUP GOLD SL në sasinë: 3 copë x 15kg = 45kg. Gjithashtu, u evidentua fakti se subjekti tregtonte PMB në mungesë të drejtuesit teknik. Për moszbatim të kërkesave ligjore, subjekti u ndëshkua me masat administrative “Gjobë” në vlerën 300.000 lekë, dhe u bë “Bllokimi i produktit” të parregjistruar. Nëpërmjet shkresës nr. 760prot, datë 01/07/2019, AKU i është drejtuar Krimit Ekonomik të qarkut Fier për veprime të mëtejshme.
Pra, siç shihet, në të gjitha rastet kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar raste të tregtimit të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB-ve) të parregjistruara në vendin tonë, iu është drejtuar për veprime të mëtejshme organeve kompetente, pasi shkeljet e tejkalojnë klasifikimin vetëm si shkelje administrative në fushën e kompetencës së institucionit tonë.​
Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052