Në javën e parë të muajit nëntor Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një aksion të gjerë në të gjitha qarqet e vendit. Inspektorët e AKU-së, kanë kryer kontrolle në dyqanet e mishit, në Fast-Food-e, te zgarat e qofteve, te subjektet që tregtojnë pije joalkoolike, si dhe në shumë biznese të tjera që prdhojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore. Nga 522 kontrollet e kryera deri në datën 11 nëntor, janë marrë 155 masa paralajmërime për bllokim dhe gjobë, për subjektet të cilat nuk plotësonin kushtet e sigurisë ushqimore. Gjithashtu, pjesë e kontrolleve janë edhe produktet ushqimore që vijnë nga jashtë, të cilat nuk kanë etiketën në gjuhën shqipe. Për këtë arsye në qarkun e Tiranës, janë vendosur gjoba ndaj disa produkteve si birrë, oriz etj, të cilat nuk kanë kundër  etiketën në gjuhën shqipe.

Tiranë

Përgjatë një jave në qarkun e Tiranës janë kryer 152 inspektime, kryesisht në markete, tregje ushqimore, restorante, bar-kafe etj. Nga këto inspektime janë marrë masa me gjobë për 11 subjekte, në masën 510.000 lekë. Gjithashtu janë paralajmëruar 33 subjekte të tjera, të cilat nuk plotësonin kushtet e sigurisë ushqimore. 17 gjoba janë vendosur për subjektet që tregtojnë produkte ushqimore, të cilat janë të importuara, por nuk kanë etiketën në gjuhën shqipe. Ndërkohë, në qarqet e tjera janë kryer 370 inspektime.

Në prag të festave të fundvitit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të shtojë kontrollet, duke qenë se rritet konsumi i qytetarëve. Kontrollet do të shtohen në të gjithë vendin , me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ushqimet.

13/11/2016