Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë bërë bllokimin e një dyqani mishi në Tiranë, i cili bënte therjen e paligjshme të bagëtive. Subjekti i cili tregtonte mish në rrugën “SitkiÇiço” është bllokuar pasi në kundërshtim me ligjin, fuste kafshët e gjalla brenda në Tiranë dhe më pas i therte ato në një ambient pranë dyqanit. Sipas ligjit, kafshët e gjalla mund të theren vetëm në thertore, të cilat janë kontrolluar dhe certifikuar nga shërbimi veterinar. Më pas transportimi i mishit nga këto thertore tek dyqanet, bëhet nëpërmjet makinave frigoriferike. Inspektorët e AKU kanë bërë sekuestrimin edhe të një sasie të konsiderueshme mishi pranë këtij dyqani, e cila është asgjësuar më pas. Ndaj këtij subjekti, përveç bllokimit të aktivitetit, është marrë edhe masa gjobë sipas legjislacionit në fuqi.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë kontrollet dhe marrjen e masave ndaj subjekteve të cilat tregtojnë mish apo produkte të tjera jashtë standardeve të parashikuara në ligjin për ushqimin. AKU u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo abuzim me ushqimet.

19/11/2016