Duke nisur nga 1 Maj 2021, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Projektit për Sigurinë Ushqimore nisin një fushatë ndërgjegjësuese për konsumatorin me sloganin: “Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd”.

Etiketat ushqimore janë një mjet shumë i rëndësishëm për informimin e konsumatorëve. Kjo fushatë ka në fokus nxitjen e konsumatorëve për të lexuar etiketat përpara se të blejnë produktet ushqimore të paketura.

Tashmë Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 434 datë 11.7.2018 ‘Për Etiketimin e Ushqimit dhe Informacionin e Konsumatorit’ është në fuqi dhe është përafruar me Ligjin e Bashkimit Evropian për sigurimin e informacionit ushqimor për konsumatorët (Rregullorja e BE 1169/2011).

Ky është një lajm shumë i mirë për konsumatorët shqiptarë, pasi shumë detaje të reja dhe të rëndësishme, të tilla si: informacioni për alergjenët duhet të paraqiten në shqip në etiketën e produkteve. Gjithashtu, ky vendim ve nën përgjegjësi operatorët e biznesit ushqimor që informacioni në etiketat ushqimore të jetë i saktë, i qartë, i thjeshtë për t’u kuptuar dhe jo çorientues.

Për një shpërndarje sa më të gjerë të mesazhit “Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd”, kjo fushatë do të transmetohet në kanalet kryesore të televizioneve shqiptare si edhe në rrjetet mediatike sociale të institucioneve partnere.

Fushata do të përfshijë një partneritet edhe më të gjerë me rrjetet e mirënjohura të supermarketeve shqiptare, përmes afishimit të posterave, me informacion të detajuar për t’i dhënë konsumatorëve informacionin e duhur mbi elementët kryesorë të etiketave, duke i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhjet e duhura të produkteve ushqimore.

Me financimin e Bashkimit Evropian, Projekti “Mbështetje për Standartet e Sigurisë Ushqimore, Veterinare dhe Fitosanitare” vihet në zbatim nga një grup i udhëhequr nga Autoriteti i Sigurisë Ushqimore në Irlandë (FSAI). Grupi zbatues përfshin gjithashtu Autoritetin e Ushqimit në Finlandë, Departamentin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Marinës në Irlandë, dhe Creative Business Solutions (CBS) në Shqipëri.

Mëso të Lexosh Ushqimin Tënd! – YouTube