Nëpërmjet një ankese të paraqitur pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në platformën e komunikimit me qytetarët, një grup banorësh të një pallati në zonën e Kodrës së Diellit denoncojnë shqetësimet dhe problematikat që ju shkaktohen në jetën e tyre të përditshme nga një operator biznesi ushqimor.

Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë, menjëherë pas indicios së marrë, ushtroi kontroll në stabilimentin e subjektit “Gioacchino Raia” (NIPT: L22002009H), me aktivitet “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit” dhe përfaqësues ligjor shtetasin italian Gioacchino Raia. Kontrolli i kryer nga trupa inspektuese (inspektorët L.A. dhe M.B.) evidentoi se: subjekti inspektohej për herë të parë, pasi nuk ekzistonte në asnjë prej regjistrave të AKU; aktiviteti zhvillohej përgjithësisht në përputhje me ligjin; si dhe përfundoi duke dhënë masën administrative “Paralajmërim”.

Në kushtet kur subjekti inspektohej për herë të parë (megjithëse kishte 7 vjet që operonte në treg në kushte informale) dhe kur shumica e pretendimeve objekt denoncimi nga banorët nuk u konstatuan, Drejtoria Rajonale Tiranë ndërmori Ri-Inspektim të subjektit, proces ky që u krye nga një tjetër trupë inspektuese (inspektorët S. C. dhe E C.). Në përfundim të ri-inspektimit rezultoi se: subjekti ushtronte aktivitetin “Tregtim dhe prodhim të produkteve të brumit” i papajisur me licencën përkatëse (kategoria 2.I.A – prodhim, përpunim dhe shpërndarje të ushqimit për njerëz); produktet i tregtonte të paetiketuara dhe të pa notifikuara; si dhe nuk zbatonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP).

Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa ri-inspektuese vendosi ndaj subjektit masat administrative të mëposhtme:
a)” Gjobë” me vlerën 2,000,000 lekë për ushtrim aktiviteti duke mos disponuar licencën përkatëse, 
b) “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin,
c) “Gjobë” me vlerën  100,000 lekë për mosimplementimin e sistemit të vetëkontrollit, si dhe
d) “Pezullimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kërkesave ligjore dhe licencimin.

Me qëllim trajtimin rigoroz të shqetësimeve të qytetarëve, por edhe garantimin e një procesi të rregullt administrativ për operatorin e biznesit, të dy praktikat e inspektimit do të jenë objekt hetimi administrativ nga struktura të Drejtorisë së Përgjithshme të AKU.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë konsumatorët që të bashkëpunojnë duke denoncuar çdo rast shkelje apo abuzimi, duke bërë të mundur në këtë mënyrë përmirësimin e mëtejshëm të Sigurisë Ushqimore në vend.

 

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHËNDETIT TËND, BASHKËPUNO ME AKU 

info@aku.gov.al     |     “ShqipëriaqëDuam”    |    08007575 (pa pagesë) ”    |    Tel: 042254052