AKU kontrolle në subjektet që tregtojnë mish

Në prag të festave të fundvitit Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shtuar kontrollet në të gjithë Shqipërinë. Gjatë muajit dhjetor janë kryer 750 inspektime, ku janë marrë 170 masa administrative gjobë dhe paralajmërim, për bizneset të cilët nuk plotësojnë kushtet për ushqimet.

Kontrollet janë kryer kryesisht në subjektet që tregtojnë mish, ku është bërë bllokimi i një sasie të konsiderueshme në disa subjekte të ndryshme. Gjithashtu janë shtuar kontrollet edhe në pikat ku tregtohen pulat apo mishi i gjelit. Qëllimi i inspektimeve ka qënë garantimi i sigurisë ushqimore përgjatë festave, duke qënë se rritet në mënyrë të konsiderueshme konsumimi i mishit. Për këtë arsyje AKU u bën apel qytetarëve që të blejnë mish apo produktet e tjera, vetëm nëse kanë vulën nga shërbimi veterinar, që do të thotë se nuk përbëjnë ndonjë rrezik për ta.

AKU ka vijuar kontrollet edhe në subjekte të cilat tregtojnë ëmbëlsira si dhe në subjektet që i prodhojnë ato.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë festave të fundvitit, në lidhje me ushqimet. Kontrolloni datën e skadencës për ç’do produkt. Blini ushqimet dhe mish vetëm në subjekte të çertifikuara dhe jo në rrugë.

Ndërkohë për ç’do rast që vërehen abuzime me ushqimet AKU u bën thirrje qytetarëve që të jenë të ndjeshëm duke denoncuar nëpërmjet telefonatave ose në rrjetet sociale.

12/12/2016