AKU gjatë kësaj stine ka kryer një vazhdimësi kontrollesh duke mbajtur nën trysni të gjitha subjektet tregtare, duke bërë që deri në këtë fazë të ketë eliminim e problemeve që mund të konstatohen nga produktet ushqimore.

Konkretisht, gjatë aksionit që AKU po ushtron në restorante ka evidentuar 2 subjekte me aktivitet “Restorant” ku kryenin veprimtari në kundërshtim me standardet e sigurisë ushqimore si dhe në kushte të rënda higjeno-sanitare.

Gjatë kontrollit që DRAKU, Dibër në subjektin restorant “Veli Krosi” në Klos u konstatuan ambiente me myk, lagështi si dhe mjetet e punës në kuzhinë ishin totalisht të amortizuara. Ndërsa nga trupa inspektuese Vlorë u konstatua një tjetër restorant në Palasë me kushte të renda higjeno-sanitare si dhe i paregjistruar në QKB.

Ndaj subjekteve u mor masë administrative gjobë 1.300.000 si dhe bllokim të menjëhershëm të aktiviteteve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam” Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.