Opinioni

AKU në gadishmëri për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve

AKU në gadishmëri për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve shqiptarë. Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së Z. Dritan Sejko i ftuar në emisionin 7 pa 5 në Vizion Plus deklaroi se për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve nuk mjafton vetëm puna e trupës inspektuese e AKU-së, por edhe bashkëpunimi i konsumatorit, i cili mund të denoncojë për çdo rast që vëren shkelje apo pasiguri të produkteve ushqimore.
Z. Sejko solli në vëmendje se AKU ka vënë në funksion portalin “Inspektori dixhital” ku me anë të një smartphone mund të denoncojnë konsumatorët nga çdo cep i Shqipërisë. AKU do të jetë aty në kohë reale për të marrë masa nëse konstatohen shkelje ligjore.
Disiplinimi i therjeve të kafshëve nëpër thertore të licensuara, ishte një tjetër temë e diskutuar në emision, ku edhe nga vëzhgimet e gazetarëve është pranuar se nuk ka më mish që theret e tregtohet nëpër rrugë. “Disiplinimi i therjeve të kafshëve nëpër thertore të licensuara është një sfidë të cilën e kemi nisur dhe jemi në rrugë të mbarë deri në finalizimin e tij” tha drejtori i AKU-së.
Z. Sejko tha se “sezoni i afërt veror është shtim përgjegjësie për AKU-në, e cila do të rrisë numrin e inspektimeve, duke riorganizuar edhe trupat inspektuese të cilat do të jenë më të shumta në vendet turistike aty ku edhe numri i qytetarëve është më i madh, për të parandaluar çdo rast abuzimi dhe për të garantuar sigurinë dhe cilësinë ushqimore.