Vetëm disa ditë pasi Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ngriti zërin për ndryshime në Kodin Penal sa lidhet me çështjen e Sigurisë Ushqimore, Komisioni për “Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut” ngriti mëngjesin e kësaj të marte grupin e punës mbi propozimet e AKU-së. Në panelin e këtij grupi pune ishin përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, përfaqësues të Avokatit të Popullit si dhe përfaqësues nga disa ministri të cilët shprehën dakortësinë e tyre për këto ndryshime në kodin penal.

Sakaq, përfaqësuesit njohën nevojën për kryerjen e 3 ndryshimeve në kushtet kur dispozita aktuale neni 288 dhe nënparagrafët e saj janë të miratuar në vitin 1995 dhe nuk arrijnë të përmbushin funksionet e legjislacionit penal veçanërisht në kuadër të parandalimit të krimit ushqimor.

Propozimi i AKU-së për ndryshime në 5 dispozita ligjore është vlerësuar gjithashtu nga përfaqësuesit e institucioneve, pjesë e grupit të punës si dhe nga misioni i EURALIUS. Nga ana e misionit të EURALIUS do të ketë një vlerësim zyrtar të propozimeve të AKU-së edhe pse kjo e fundit më herët ka kryer analizë krahasuese të legjislacionit penal të vendeve të Rajonit, BE dhe USA lidhur me figurat e veprave penale që përbëjnë krim ushqimor.

Ndërsa, propozimet e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila zyrtarisht është shprehur se është parimisht dakord, lidhen me aspekte të legjislacionit penal të parashikuara në pjesën e përgjithshme dhe jo me çështjen e elementëve të anës objektive të veprës penale.

Kujtojmë se, AKU referuar natyrës së shkeljeve të hasura, ka referuar pranë organeve të ndjekjes penale për veprën penale të nenit 288 rreth 65 materiale kallëzuese, ku në pjesën e madhe të rasteve është vendosur mosfillimi i procedimit penal ose pasi janë kryer disa veprime hetimore të vakëta (vlerësim aktesh) dhe është vendosur pushimi i procedimit penal.