Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nën logon “Siguria Ushqimore” ka nisur një program ndërgjegjësues në shkolla/çerdhe. Ky program ka startuar në kryeqytet në shkollën 9-vjeçare “Hasan Tahsin” për tu shtrirë më tej në të gjithë Shqipërinë. Dita e parë e programit rezultoi një sukses, vlerësuar kjo nga interesi i lartë i nxënësve, me pyetjet e shumta rreth kësaj tematike.

Më konkretisht, synimi i AKU-së është që ky program të fokusohet fillimisht pranë nxënësve të shkollave duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në kultivimin e qytetarëve të informuar në fushën e sigurisë ushqimore por edhe aktivë për ta promovuar atë (sigurinë ushqimore) tek familjet e tyre dhe kudo.

Në këtë kuadër duke marrë në konsideratë se për grup-moshat e nxënësve – referuar nevojave metabolike në funksion të procesit të rritjes dhe zhvillimet të tyre – është jetike cilësia dhe siguria e ushqimeve që ata konsumojnë, AKU ka pasur vëmendje të shtuar për kontrolle në subjekte që ofrojnë ushqim afër shkollave, sidomos të shitësve ambulant.

Në harkun kohor shtator-dhjetor 2018 inspektorët e AKU-së kanë kryer 511 inspektime ndër to janë vendosur 194 paralajmërime 35 gjoba si dhe 14 ndërprerje aktiviteti.