Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar pranë Tregut Agro-Ushqimor në Tiranë një sasi prej 1187 kg djathë të bardhë lope, djathë  kaçkavall dhe gjizë në subjektin në pronësi të shtetasit Maringlen Zenelaj për tregtim të pasigurt të produkteve të bulmetit.

Trupa inspektuese e AKU-së të Drejtorisë së Përgjithshme në bashkëpunim me inspektorët e Drejtorisë Rajonale Tiranë kanë inspektuar subjektin në tregun Agroushqimor përgjatë autostradës Tiranë Durrës. Nga kontrolli ka rezultuar se produktet djathë i bardhë lope në fuçinë me sasi 440 kg, djathë dele në sasinë e 250 kg, djathi kaçkavall në sasinë e 137 kg dhe  një sasi gjize prej 360 kg rezultuan pa etiketë dhe në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë. Për këto gjetje trupa inspektuese e AKU-së, ka marrë mostra për analiza, ku tre nga katër këto produkte të bulmetit rezultuan mbi ngarkesën e lejuar mikrobiologjike. Për mungesë të etiketës dhe gjurmueshmërisë, rezultateve të analizave mbi normë të ngarkesës mikrobiologjike të produkteve të bulmetit dhe tregtim të produkteve të pasigurta në treg,  nga trupa inspektuese e AKU-së ndaj subjekt u mor masa administrative  me  gjobë me vlerën e 500 mijë lekëve si dhe bllokimi i produkteve të bulmetit.

Ndërkohë nga trupa inspektuese e AKU-së ndaj po merr masat për asgjësimin e këtyre produkteve, sipas mënyrave të përcaktuara  nga legjislacioni në fuqi, për mbrojtjen e mjedisit nga operatori i biznesit ushqimor që ka kryer shkeljen.

12/04/2018