Kontrollet në lidhje me sigurinë ushqimore, nuk kanë të bëjnë vetëm me thertoret apo fdyqanet e tregtimit të mishit, por edhe me restorantet. Një i tillë është zhvilluar dje në Restorant “Brazili” në fushë-Krujë, ku trupa e inspektimit e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit gjeti e sekuestroi 35 qingja të therur, port ë pavulosur e certifikuar.

Autoriteti Kombetar i Ushqimit, ndërmori një aksion në restorantin “Brazili”, në aksin rrugor Kamëz-Fushë Krujë, pas informacioneve që aty thereshin kafshë, veçanërisht të imëta.

Trupa inspektuese nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ato Rajonale Durrës e Tiranë të AKU, të cilat deri në orët e vona të mbrëmjes kanë qëndruar aty, konstatuan 35 karkasa qingji në një dhomë frigoriferike, të pavulosura e pacertifikuara. Për këtë arsye, AKU dyshon se, kafshët thereshin në ambientet e restorantit. Ndërkohë, në frigoriferët brenda ambienteve të restorantit, AKU ka sekuestruar edhe 348 kg mishi pa vulë, si dhe subjekti është gjobitur me 200.000 lekë.

Në pjesën e pasme të restorantit në fjalë, siç duket qartë edhe në fotot, u konstatuan dhe ambientet ku mbaheshin të imëtat e gjalla, ndërsa administratori i subjektit nuk tregon vendin apo thertoren ku mund të jenë therur. Bashkë me trupën e AKU-së, aty ndodhen edhe forcat e policise dhe Antikrimit Ekonomik.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar që të vazhdojë kontrolli dhe të intensifikohen inspektimet, jovetëm në thertore e dyqane mishi, por edhe në restorante dhe çdo vend tjetër ku konsumohet ushqim.