Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Z.Dritan Sejko, ka zhvilluar ditën e sotme takimin e radhës me dymbëdhjetë drejtorët rajonalë ku u diskutua  “Plani i masave për sezonin turistik veror 2017”.

Fillimisht u bë një prezantim nga drejtorët e 12 qarqeve të AKU-së, mbi inspektimet shtesë nga plani vjetor i mëparshëm dhe si rrjedhojë dhe të numrit të inspektorëve shtesë.

Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së , Z.Sejko nënvizoi rëndësinë e rishikimit të zonave turistike për subjektet e reja dhe regjistrimin e zonës.

Gjithashtu gjatë takimit u prezantua edhe Rregullorja e Brendshme e Grupit të punës të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm, në lidhje me mbikëqyrjen e sjelljes së nëpunësit civil gjatë periudhës së fushatës elektorale për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë si dhe të problematikave të tjera mbi mënyrën e zbatimit me rigorozitet të Urdhrit të Kryeministrit nr.65, date 12.05.2017 “Për marrjen e masave për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, pronë e administratës publike, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike, të çdo niveli, për zgjedhjen e Kuvendit, të datës 18 qershor 2017.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit shpreh gatishmërinë për menaxhimin optimal të sezonit turistik dhe u bën thirrje konsumatorëve të denoncojnë në portalin online “Inspektori Digital” dhe në e-mailin zyrtar info@aku.gov.al  çdo shkelje të konstatuar në lidhje me kushtet e sigurisë ushqimore.