AKU VIJON GODITJEN E PALIGJSHMËRISË DHE PRAKTIVAVE ABUZIVE NË ZINXHIRIN USHQIMOR

 

Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër, në bashkërendim me strukturat e Policisë, ushtroi kontroll në subjektin me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” në Shkodër, veprimtaria e të cilit ishte bllokuar nga kontrolli i datës 20.09.2017, ndërkohë që sipas sinjalizimeve, subjekti vazhdonte të ushtronte aktivitetin në kundërshtim me ligjin. Në prani të Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe të avokatit të subjektit, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore, nga ku u konstatuan 44.5 ton produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore.

Nga kontrolli rezultoi se subjekti kishte prishur shenjat dalluese dhe vulat e sigurisë nga inspektimi i mëparshëm (në vendet e botës së zhvilluar, prishja e vulave të sigurisë së organeve kompetente përbën vepër penale, në Shqipëri akoma jo).

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

  1. Gjobë në vlerën 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese,
  2. Gjobë në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
  3. Gjobë në vlerën 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor,
  4. U la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit,
  5. U bë bllokimi i 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.

Nisur nga gjetjet e kontrollit të kryer, si dhe duke ndjekur sistemin e gjurmueshmërisë për lëndën e parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në zbatim të ligjit, ushtroi kontroll në një subjekt në Tiranë. Nga kontrolli i ushtruar në këtë subjekt, Drejtoria Rajonale e AKU Tiranë konstatoi etiketa që keqinformonin publikun për aspekte të ndryshme shëndetësore. U konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin (fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, çaj, uthull me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika, arra etj). Ambjenti ishte i mbingarkuar me produkte, i pasistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambjente sanitare. Nga verifikimi rezultoi se subjekti operon në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës, nuk operon me sistemin e vetëkontrollit HACCP, si dhe nuk disponon sistem funksional gjurmueshmërie.

Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

  1. Gjobë  në vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse (kategoria II.1.A (1)),
  2. Gjobë në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
  3. Gjobë në vlerën 200,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP),
  4. Gjobë në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë,
  5. Gjobë në vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin

 

Siguria Ushqimore është sfida jonë e përbashkët dhe kërkon kontributin e gjithësecilit.

PËR SIGURINË E USHQIMIT QË KONSUMON DHE RUAJTJEN E SHÊNDETIN TËND, BASHKËPUNO ME AKU

info@aku.gov.al | “ShqipëriaqëDuam” | 08007575 (pa pagesë) ” | Tel: 042254052

 

 

 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme

Njoftim

Lënda: Ftesë për negociatë, “Për botim në median e shkruar”.