AKU NIS KONTROLLIN NË FURGONA QË FURNIZOJNË LOKALET DHE MARKETET, TREGTONIN QUMËSHT NË TEMPERATURA MBI NORMËN E LEJUAR

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit në furgona që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.

Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar disa furgona, dy prej tyre tregtonin produkte qumështi në temperatura mbi normën e lejuar, përkatësisht 18.4 dhe 15.6 gradë ku normalja është deri në 6 gradë celsius.
Për sa më sipër, ndaj subjekteve u mor masa administrative gjobë 100.000 për secilin.

Ndërsa një tjetër subjekt u kap në flagrancë nga DRAKU Vlorë duke transportuar mish dhe nënprodukte të tij në temperaturën 25.6 gradë ku normalja është 6 gradë celsius. Edhe ndaj këtij subjekti u mor masë administrative gjobë në vlerën 200000 lekë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cënojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.

Gjithashtu bën thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara me dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.


 

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme

Njoftim

Lënda: Ftesë për negociatë, “Për botim në median e shkruar”.