Standardet e sigurisë ushqimore prioritet

Procesi i disiplinimit të therjes së kafshëve përmbylli fazën e parë, duke i dhënë fund therjes në rrugë dhe në pika që nuk plotësonin as minimumin e standardeve ligjore e të sigurisë. Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ishte në një nga stabilimentet moderne të therjes së mishit, në qytetin e Shkodrës, që respekton të gjitha standardet europiane. Sipas ministrit Peleshi, janë 33 stabilimente të tilla në të gjithë territorin e vendit.

“Ne sapo kemi përmbyllur fazën e parë të operacionit për të disiplinuar therjet. Nga 110 stabilimente therjeje, më shumë se gjysma ishin të licencuara si pika therjeje, pa u bazuar në një standard ligjor. Sot që flasim janë mbyllur të gjitha njësitë e licencuara në kundërshtim me ligjin, janë mbyllur edhe 17 të tjera që kanë qenë totalisht informale. Operojnë 33 thertore si kjo, që janë pranë standardeve të larta,” – u shpreh ministri i Bujqësisë Niko Peleshi.

“Fatmirësisht ka ndryshim rrënjësor. 1.8 milionë euro janë hedhur këtu [në thertore]. Sa është bërë këtë periudhë, tash 25 vjet në këtë fushë nuk është bërë,” – u shpreh pronari i thertores.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë masë një operacion për rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore. Ai solli në vëmendje se në sajë të këtij operacioni, tashmë ofrohet për herë të parë mish i sigurtë dhe i certifikuar, njëlloj si në vendet e Bashkimit Europian.

“Ky është operacion sigurie, në radhë të parë, sepse njerëzit skandalizohen dhe shpërthejnë kur shikojnë momente dramatike helmimesh dhe shqetësimesh që bëhen publike, por, në fakt, ky ka qenë shqetësim dhe kërcënim i përditshëm që nga pikëpamja e sigurisë ne të ndërhynim. Tani është momenti që ne po bëjmë një ndërhyrje radikale, sepse asnjë vend, në Bashkimin Europian padiskutim, që e pretendon veten të jetë një vend normal, me shtet, nuk lejon një pikë gjaku të derdhur jashtë rrugëve të certifikuara dhe të kontrolluara.”

Sipas Kryeministrit, kjo situatë, veç mungesës së sigurisë së konsumatorëve ka zbuluar edhe një gropë të madhe në ekonomi. Përmbushja e standardeve i hap rrugën edhe eksportit në tregjet e huaja.

 “Ky është një operacion që do krijojë vlerë të shtuar, sepse do rrisë në mënyrë të ndjeshme punësimin dhe do të rrisë në mënyrë të ndjeshme ekonominë e fshatit dhe patjetër hap rrugën e eksporteve. Jemi i vetmi vend në rajon, që nuk arrijmë të eksportojmë mish, për arsyen e thjeshtë se nuk arrijmë dot prej 27 vitesh ta therim normalisht, ta certifikojmë normalisht, sipas standardeve të sigurisë dhe pastaj ta nxjerrim në treg . Kjo është një gropë e madhe në ekonomi. Kjo është një situatë nga ato që ne duhet ta zhbllokojmë dhe po e zhbllokojmë. Kështu që, kush është mësuar të therë në mënyrë të paligjshme, ta harrojë. Ne do forcojmë edhe ligjin. Ligji do të jetë drastik për çdo aktivitet të këtij lloji.”

Krahas mishit do të eksportohet edhe lëkura e certifikuar e kafshëve, sipas të gjitha standardeve europiane.

 

16 Nëntor, 2017

Shperndaje

Facebook
Twitter
LinkedIn

Më shumë lajme